Eksperti i IT Erion Demiri, i ftuar në një intervistë televizive, komentoi deklaratën e kryeministrit Rama për mbylljen e TikTok, vendim për të cilin u shpreh kundër sidomos gjatë kësaj periudhe.
Ai tha se debatet e nisura në rrjetet sociale sjellin dhunë në realitet dhe se ka shumë problematika që kanë dalë nga rrjetet sociale, por që modelet e gabuara nuk i kemi vetëm në TikTok, por dhe në media. Sipas tij çdo platformë e panjohur është e rrezikshme për fëmijët.
“Duhet të kemi parasysh se të vendosësh një vend fiks ose cila media është ajo që ndikon për mirë apo për keq është e vështirë.
Është e vërtetë që në kultura të ndryshme manifestohet ndryshe problematika, por popullata në përgjithësi kudo nuk është e përgatitur, duket sikur hapësira kibernetike është e huaj s’ka rregulla dhe aty mund të bësh çdo gjë dhe nga aty fillon problematika.
Kemi komente jo të përshtatshme, debate që lindin në rrjetet sociale të cilat pastaj sjellin një debat në fushën reale dhe kjo do të thotë se njerëzit mund të shajnë dhe komentojnë kë të duan se kjo nuk të prek, por hapësira kibernetike nuk është një vend ku nuk ekzistojnë rregullat, pra ajo që na bashkon të gjithëve pavarësisht se ku jetojmë është fakti se shumica nuk e kuptojnë se hapësira kibernetike ka rregulla njësoj si në një dialog normal mes njerëzve.”
I pyetur nëse është pro mbylljes apo kundër TikTok, Demiri tha se TikTok është një media e cila nga mënyra si është ndërtuar ka disa problematika, por se si ajo po lidhet në këtë moment me ngjarjen e fundit është gabim të mendosh të bësh një mbyllje.
“Jam totalisht kundër mbylljes, sidomos në këto momente. TikTok është një media e cila nga mënyra si është ndërtuar, ai ka disa problematika të ndryshme, ka tjetër kontent nga ajo që na serviret, por se si ajo po lidhet në këtë moment me ngjarjen e fundit është gabim të mendosh të bësh një mbyllje.
Gjithçka që thuhet se shkon në ekstrem ndodh e kundërta, por mund të them se mbyllja totale e saj nuk është e lehtë për mos të thënë e pamundur. E vetmja mënyrë që mund të bëhet është në ato raste të atyre vendeve që kanë një censurë të veçantë, ndërsa në një shoqëri si e jona që lejon gjithçka dhe duam të mbyllim një platformë të veçantë nuk është e mundur.
Jam kundër mbylljes, kemi një sasi të madhe problematikash e vërtetë, por nuk i vëmë dot gishtin tiktok. Ka goxha kontekt të vlefshëm tiktok, ka para, klikime, ka njerëz që punojnë me tiktok duke krijuar jetën e tyre, por kur shohim krahun tjetër, e thënë në këtë moment ku shumica e njerëzve e marrin sikur fajtori është tiktok që solli këtë tragjedi për mua nuk është e tillë.”
Më tej ai shtoi se sigurisht duhet të ketë filtrime lidhur me platformën për të parë mënyrat që duhet të zbatojmë sa i përket moshës, kontentit që ata marrin, por jo një mbyllje totale.
“Nëse nesër nuk është tiktok ata do vazhdojnë ti bëjnë të gjitha gjërat e veta në jetën reale, thjesht tiktok shërben për ti shfaqur dhe ne ato i kemi kudo në tv, facebook, që do të thotë mbyllje totale e një rrjeti të caktuar do të ishte harxhim resursesh, dhe do ishte negativ në aspektin e të drejtave të njerëzve.
Puna shumë e madhe është në dialogun me fëmijët, koha e kaluar me ta, mos ti lëmë ata 24 orë në roblox. Çdo përdorim i cili është i panjohur, është i rrezikshëm. Ajo mënyrë që unë mendoj që të ketë sukses është mbajtja në monitorim dhe dialogu me ta për t’ja shpjeguar.”