“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet nga ndërtimi i Aeroportit të Vlorës

Shqipëria

“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet nga ndërtimi i Aeroportit të Vlorës

Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 21:34
Punimet për Aeroportin e Vlorës

Organizata europiane për Ruajtjen e Natyrës “Euro Natur” shprehu shqetësimin se “zona e Vjosë-Nartës në Shqipëri, njohur për shumëllojshmërinë e shpendëve dhe lagunat, përballet me kërcënime serioze nga ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.

Në një raport mbi biodiversitetin në Ballkanin Perëndimor të sapopublikuar “Euro Natur”që është bërë pjesë e një rrjeti me disa organizata shqiptare për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri thotë se “ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pjesë e një vizioni të gjerë për ta shndërruar këtë strehë të pasur me biodiversitet në një qendër turizmi dhe infrastrukture, kërcënon të shuhen zërat e gjallë të lagunës”.

“Rivlerësimi i zonave të mbrojtura nga qeveria për të lehtësuar projektin e aeroportit ka përjashtuar 310 hektarë habitat të rëndësishëm në jug të vendit, duke shqetësuar ambientalistët”, thuhet në raportin e organizatës.

Sipas autoriteteve shqiptare Aeroporti i Vlorës do përfundojë punimet brenda këtij viti dhe do të jetë operacional verën e vitit 2025.

Por si dëshmojnë pamjet me dron të filmuara nga Zëri i Amerikës këto ditë, punimet e deritanishme janë larg pritshmërisë që aeroporti të përfundojë brenda këtij viti.

Autoritete shqiptare shpërfillën një kërkesë të Konventës së Bernës, shtatorin e vitit të shkuar, që të ndërpriteshin punimet për Aeroportin, derisa të zhvillohej një Vlerësim i ri i Ndikimit në Mjedis.

Disa organizata mjedisore po zhvillojnë një betejë gjyqësore në Gjykatën Administrative të Tiranës ku kanë paditur një seri institucionesh qeveritare për procedurat e ndjekura për projektin e ndërtimit të aeroportit dhe fillimin e punimeve.

Qeveria shqiptare ka deklaruar nga ana e saj se aeroporti përbën një rëndësi parësore për zhvillimin turistik të këtij rajoni dhe zona e Akërnisë, ku po ndërtohet, përfshin një sipërfaqe e cila gjatë periudhës së komunizmit shërbente për uljen e avionëve ushtarakë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat