Sistemi bankar është një ndër më të zhvilluarit në vend, i nxitur nga hyrja e bankave të mëdha perëndimore në dy dekadat e fundit. Ai mbetet dhe një ndër më fitimprurësit në ekonomi.
Në vitin 2023 bankat, në pjesën më të madhe, përmirësuan fitimet dhe treguesit e kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet, si rrjedhojë e rritjes më të shpejtë të interesave të kredive (në kahun e të ardhurave) në raport me ato të depozitave (në kahun e kostove), në një mjedis me politikë monetare shtrënguese, që çoi në kosto më të lartë të parasë.
Procesi i konsolidimit të sistemit bankar që nisi në 2019-n, dhe vijoi për rreth katër vjet, duke ulur numrin e bankave nga 17 në 11, duket se ka ndikuar pozitivisht në performancën e bankave ekzistuese.
Fitimi i sistemit për vitin 2023, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 32.5 miliardë lekë, me rritje prej 50% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Rritja shumë më e shpejtë e të ardhurave nga interesat, në krahasim me shpenzimet për to, ishte arsyeja kryesore që ndikoi në përmirësimin e ndjeshëm të performancës së sistemit bankar.
Rritja e lartë e fitimeve çoi në përmirësim të treguesve të rentabilitetit. Kthyeshmëria nga Aktivet (RoA) ishte mesatarisht 1.85% në vitin 2023, nga 0.94% në 2022. Kthyeshmëria nga Kapitali (RoE) u rrit në 15.92% në 2023, nga 8.48% që rezultoi vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Kreditë me probleme iu rikthyen rënies në gjysmën e dytë të 2023, duke e mbyllur vitin në nivelin e 4.74%, nga 5% në dhjetor 2022. Ky është niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2008.
Banka e Shqipërisë i raporton fitimet e sistemit bankar sipas standardeve lokale, duke zbatuar kritere më të rrepta për shpenzimet për provigjionime.
Ndërsa në Tatime, bankat raportojnë sipas standardeve ndërkombëtare. Diferenca kryesore mes standardeve lokale dhe atyre ndërkombëtare qëndron në mënyrën se si raportohen shpenzimet për provigjionimet për huatë me probleme, teksa Banka e Shqipërisë, që kërkon raportim me ato lokale, ka standarde më të rrepta për shpenzimet që duhen lënë mënjanë për mbulimin e huave, të cilat nuk kthehen në afat.
Në vitin 2023, sipas raportimeve në Tatime, pjesa më e madhe e bankave kanë deklaruar rritje të larta të fitimeve. Në 2023, për të dytin vit radhazi, të gjitha bankat raportuan fitime, me përjashtim të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA), e cila ka më pak se 1% të tregut, sipas madhësisë së aktiveve.
Sipas të dhënave nga bilancet e bankave, që raportojnë bazuar në standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, fitimi i 10 bankave (pa përfshirë UBA) ishte 33.6 miliardë lekë, me rritje 20% me bazë vjetore, e ndihmuar nga rritja e marzhit mes interesave të depozitave e kredive, në një kohë që Banka e Shqipërisë vijoi politikën shtrënguese monetare, me qëllim luftimin e inflacionit.
Gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë dy herë, me nga 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3.25%.
Në vlerë absolute, banka me fitimin më të lartë është BKT, për vetë madhësinë e saj, me 7.9 miliardë lekë, e ndjekur nga “Raiffeisen”, me 7.8 miliardë lekë, “OTP”, 4.1 miliardë lekë, që u renditën të tria në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve në vend (shiko renditjen në fillim).
“Intesa SanPaolo Bank Albania” u ngjit në vendin e katërt, pas rritjes së fitimeve me 140%, në 3.65 miliardë lekë. Përmirësimi i rezultatit erdhi si rrjedhojë e rritjes së fortë të të ardhurave nga interesi dhe mbajtja nën kontroll të shpenzimeve.
“Banka Amerikane e Investimeve” renditet e pesta për fitimet më të larta në sistemin bankar, me 3.1 miliardë lekë, me rritje 47% me bazë vjetore, si rrjedhojë e rritjes së fortë të të ardhurave nga interesat dhe fitimit më të ulët të shpenzimeve për interesa.
“Tirana Bank” raportoi një rritje të fitimeve me 81%, në 2.3 miliardë lekë, e ndikuar nga shtimi i të ardhurave dhe mbajtja nën kontroll e shpenzimeve.
“Credins” rezultoi me fitime 2.2 miliardë lekë, me rritje prej 45% me bazë vjetore, e ndikuar nga rritja shumë më e shpejtë e të ardhurave, në raport me fitimet.
“Banka e Parë e Investimeve” deklaroi zgjerim me 20%, me fitime që arritën në 1.2 miliardë lekë.
“Union Bank” shënoi rënie të fitimeve me 12%, në 953 milionë lekë. Ndonëse të ardhurat u rritën, negativisht ndikoi përkeqësimi i zërit “Shpenzime të tjera”.
“ProCredit” deklaroi fitime relativisht të larta për të dytin vit radhazi, pasi kishte rezultuar për disa vite radhazi me humbje, duke hyrë në listën e “Monitor”, sipas fitimeve. Në vitin 2023, fitimet u rritën me 65%, në 227 milionë lekë.
E vetmja me humbje është “Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, me një rezultat negativ prej 550 milionë lekësh në vitin 2023.
Normat e fitimit në sistem në vitin 2023 u luhatën nga 10% në 45%.
Për bankat, fitimet shënojnë luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin, të ndikuara nga shpenzimet për provigjionime, të cilat lihen mënjanë për kreditë e këqija.
Në shumicën e rasteve, përfitueshmëria e sistemit është ndikuar nga provigjionimet si në rastet pozitive (profitabilitet i lartë për rimarrje të provigjioneve) ose ato negative (profitabilitet i ulët, apo edhe humbje, për arsye të provigjioneve të larta për kreditë me probleme – NPL).
Mikrofinanca po gjen gjithnjë e më shumë terren vitet e fundit. Operatorët, që veprojnë në këtë segment dhe premtojnë hua në shuma të vogla, të cilat merren shpejt dhe pa shumë dokumente, po shtohen ndjeshëm së fundmi.
Mikrofinanca ka interesa të larta, për shkak të kostove të shtuara administrative dhe riskut të lartë dhe si rrjedhojë, po gjeneron norma të kënaqshme fitimi, rreth 20-25%. Kjo tendencë vijoi edhe në vitin 2023, teksa kompanitë e kredive të shpejta konsumatore arritën fitime rekord.
Në pjesën më të madhe, institucionet e mikrofinancës nuk duket të jenë ndikuar nga tavanet e normave të interesit. Prej fillimit të vitit 2022, Banka e Shqipërisë filloi të zbatonte ngrirjen e normave maksimale efektive të interesit (NEI Maksimal) mbi kredinë konsumatore.
Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.
Qëllimi ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores, arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.