Në Gjirokastër këto ditë po përfundon një kamp restaurimi me pjesëmarrjen e disa dhjetëra studentëve të arkitekturës nga Shqipëria.
Kampi është pjesë e praktikës mësimore të arkitektëve të rinj por pritet të sjellë rezultate të rëndësishme sa i përket rilevimit dhe projekteve të restaurimit të rreth 6 banesave monumente kulture të kategorisë së parë si banesa Zekate, shtëpia e Çerçiz Topullit, banesat Reso, Babameto, Totozani e Kalemi.
“E rëndësishme është të theksohet edhe përdorimi i teknologjisë në rilevim, analizat patologjike, modelimet me teknologji dhe më pas gjetja e problematikave të godinave duke konkluduar edhe me një projekt të mirëfilltë restaurimi që do të përfundojë pas rreth 15 javëve”, tha Nikolla Vesho.
Banesat në fokus janë më shumë se 200 vjeçare dhe sipas ekspertëve kanë nevojë për monitorim të përhershëm për shkak të deformimeve, lëvizjeve e spostimeve. Këto objekte përveçse sigurojnë kuadrin praktik për studentët e arkitekturës janë njëherazi subjekt i kërkimit shkencor për pedagogët dhe ekipet udhëheqëse.
“Ky projekt është në vitin e tretë dhe sivjet do të konkludojmë me një ekspozitë me punët e studentëve dhe gjithashtu së shpejti do kemi një botim një studim që do të përmbledhë punën e pedagogëve por edhe eksperiencën që ne si pedagogë po kalojmë këtu në qytetin e Gjirokastrës”, tha pedagogia Kristiana Meço.
Kampi ishte i ndarë në dy faza dhe ka përfshirë studentë në nivele të ndryshme studimi.
“Ne aktualisht po merremi me një projekt restaurimi të shtëpisë Babameto. Është një shtëpi që në fasadë është në gjendje shumë të mirë sepse është restuaruar më parë por brenda duke qenë se ka qenë hostel para pak vitesh e më pas është braktisur ka dëmtime të suvasë, tavanet nuk janë më me ato elementët autentikë gjirokastritë, ka plasaritje të mureve, keqpërdorim. Është një shtëpi me rreth 35 dhoma sepse janë shtëpitë e dy vëllezërve të bashkuara në një”, tha studentja Ester Zotka.
“Ne aktualisht kemi në dorë planimetritë e vitit 1961, të vitit 1980 dhe ka shumë ndryshime sepse disa dhoma nuk janë të përfshira fare në planimetri, si dhoma e grave, disa detaje të odave si këto dritaret pas nesh”, tha studentja Klesia Tola.
Gjirokastra po përball probleme madhore të mirëmbajtjes së objekteve monumente kulture të lidhura me praninë e shumë pronarëve, mungesës së fondeve dhe planeve të rijetëzimit.