Incidenti në takimin e Londrës, PD: Protestuesit u keqtrajtuan, ora e fundit e narkoshtetit po afron

Shqipëria

Incidenti në takimin e Londrës, PD: Protestuesit u keqtrajtuan, ora e fundit e narkoshtetit po afron

Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në Londër, ku, sipas deklaratës së saj, kryeministri Edi Rama dhe “mercenarët” e tij përdorën dhunë ndaj protestuesve shqiptarë që po ushtronin të drejtën e protestës në kryeqytetin britanik.

PD e ka akuzuar Ramën për “krim të dyfishtë”, duke thënë se ai ka përdorur forcën e policisë britanike për të mbrojtur veten nga bashkëatdhetarët.

Në reagimin e saj, PD theksoi se Rama do të mbahet mend si kryeministri që, pasi “i përzuri” shqiptarët nga vendi, i “dhunoi dhe keqtrajtoi” ata në vendin e tyre të adoptuar. PD e cilësoi dhunën si të papranueshme dhe e quajti përgjegjës kryesor Edi Ramën, duke e akuzuar për përdorim të forcës në emër të një “narkoshteti”.

PD gjithashtu ftoi shqiptarët të bashkohen në një marshim në Tiranë më 26 nëntor, për të kërkuar largimin e kryeministrit dhe për të protestuar kundër qeverisjes së tij.

Reagimi i plotë:

Edi Rama, me mercenarët e tij dhunoi sot në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, ata që kishin dalë për të ushtruar paqësisht të drejtën e protestës.

Si antishqiptar i vërtetë dhe frikacak i lindur, atij i duhej policia britanike për t’u mbrojtur nga bashkëatdhetarët.

Sot, ai kreu krimin e dyfishtë, pasi i përzuri nga vendi i tyre, i dhunoi në vendin e adoptuar.

Edi Rama do mbetet në analet e turpit të historisë si kryeministri që, pasi i ka përzënë nga vendi, dhunon dhe keqtrajton bashkëkombasit e tij.

Partia Demokratike e dënon me forcë dhunën e ushtruar kundër shqiptarëve të lirë.

Mercenarët që dhunuan në emër të Ramës janë vetëm masha mjerane të narkoshtetit.

Ndërkohë që, përgjegjësi i vetëm, ai që do përgjigjet deri në një për dhunën ndaj qytetarëve shqiptarë dhe britanikë, është Edi Rama.

Ora e fundit të tij dhe narkoshtetit që e kishte marrë me vete në Londër si cirk personal, po afron.

Të martën, në ora 17:00, ftojmë të gjithë shqiptarët në marshimin drejt Tiranës, për t’i dhënë të shtyrën e fundit frikacakut të Surrelit dhe burracakut të Londrës.

O sot, o kurrë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat