Qeveria tërhiqet nga importi i mbetjeve, drafti hiqet nga konsultimet publike

Shqipëria

Qeveria tërhiqet nga importi i mbetjeve, drafti hiqet nga konsultimet publike

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 08:50
Foto ilustrim

Pas kundërshtive të shumta, qeveria shqiptare është tërhequr nga ideja e importit të mbetjeve në vend. Në 20 gusht të këtij viti, pasi rrjeti i Bazelit ngriti alarmin se në Portin e Durrësit ishin eksportuar 102 kontejnerë me mbi 2 mijë tonë mbetje toksike, qeveria hodhi për konsultim publik projektligjin për trajtimin e integruar të mbetjeve.

Drafti që u hodh për konsultim publik përcaktonte në nenin 73 se në përgjithësi importi i mbetjeve ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon.

Nëse gërmojmë për të gjetur draftin e hedhur për konsultim publik në muajin gusht, ai tashmë nuk ekziston në faqen përkatëse, por nga ana tjetër zëvendësministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve, Nikolin bali kanë zhvilluar disa tryeza konsultuese.

Por çfarë thotë draftdokumenti, i cili e ka kaluar fazën e konsultimeve publike dhe pritet të depozitohet në Këshillin e Ministrave për miratim?! Në nenin 72 sanksionohet se importi i mbetjeve është i ndaluar në të gjitha rastet, si importi dhe kalimi transit. “Ndalohet në të gjitha rastet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi transit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”, citohet në projektligjin në fjalë.

Por jo vetëm kaq, qeveria duket se ka hequr dorë edhe nga incenerimi pasi janë investuar qindra miliona euro për ndërtimin e tre inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Në nenin 6 të projektligjit që pritet të shkojë për diskutim në radhët e komisioneve parlamentare sanksionohen prioritetet e trajtimit të mbetjeve dhe asgjësimi i tyre është i fundit, pasi prioritare janë parandalimi, parapërgatitja për përdorim, riciklimi dhe rikuperime të tjera. Ndërkohë më tej në nenin 13 sanksionohet se qeveria planifikon që deri në vitin 2030, përgatitja për ripërdorim e e mbetjeve dhe riciklimi të jetë në masën 60 ër qind.

“Për përmbushjen e objektivave kombëtare dhe për të kaluar me një ekonomi qarkulluese në një nivel të lartë të efikasitetit të burimeve deri në vitin 20230 përgatitja për ripërdorim e mbetjeve bashkiake të jetë në nivelin 60 për qind të sasisë totale të mbetjeve bashkiake. Deri në vitin 2035 përgatitja për ripërdorim dhe riciklimi i mbetjeve bashkiake të jetë në një minimum prej 65 për qind e sasisë totale të mbetjeve bashkiake”,-thuhet në dokument.

Projektligji u lë në dorë bashkive që të kryejnë procesin e pastrimit të qytetit duke mbledhur në një mënyrë të diferencuar dhe vendgrumbullimet që më pas të bëhet procesi i përpunimit për ripëdorim apo riciklimi ose mund t’ua japë të tretëve kundrejt pagesave. Projektligji përcakton, gjithashtu, edhe normat e respektimit të mjedisit dhe po ashtu sanksione administrative deri në 1 milionë lekë të reja. Do të ndalohet, gjithashtu, edhe përdorimi i qeseve plastike të paoksidueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat