Konsultimet për datën e zgjedhjeve, Bajram Begaj pret sot në Presidencës përfaqësuesit e PS-së!

Shqipëria

Konsultimet për datën e zgjedhjeve, Bajram Begaj pret sot në Presidencës përfaqësuesit e PS-së!

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 10:47
Bajram Begaj

Kreu i Shtetit, Bajram Begaj do të presë ditën e sotme (25 Nëntor) në Presidencë përfaqësuesit e Partisë Socialiste për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Gjithashtu, Bajram Begaj kishte thirrur sot në Presidencë edhe Partinë Demokratike për t’u konsultuar lidhur me datën e zgjedhjeve, por është refuzuar nga partia më e madhe opozitare në vend. Kreu i Grupit të PD-së,

Gazment Bardhi u shpreh se janë ftuar nga Kreu i Shtetit për të marrë pjesën në konsutime, ditën e hënë në orën 10:30, por theksoi se refuzon të përfshihet në një proces, siç e quajti ai, farsë.

Kreu i Shtetit priti në Presidencë më 21 Nëntor me përfaqësuesit e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi, bisedime që u zhvilluan në mungesë të Ilir Metës për shkak se ndodhet në paraburgim.

Pas përfundimit të takimit, sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi u shpreh se çdo datë për ta është e pranishme përveç asaj të caktuar nga Taulant Balla.

“Sa i përket ditës së zgjedhjeve, qëndrimi i Partisë së lirisë, i shprehur qartësisht në këtë takim, ishte që për ne është e pranueshme cdo datë, përvec datës së caktuar nga Taulant Balla”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PL-së.

Ndërsa më 20 Nëntor u takua dhe me krerët e partive të vogla, Dashamir Shehin, kreu i Aleanca Progresiste LZHK, Fatmir Mediun, kreu i Partisë Republikane, Agron Dukën, kreu i Partia Agrare Ambientaliste, Vangjel Dulen, kreu i Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Shpëtim Idrizin, kreu i PDIU dhe Agron Shehajn, kryetari i Partisë Mundësia, të cilët propozuan datën 4 si më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Refuzimi i ftesës nga PD

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi i ka quajtur farsë konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke u shprehur se dita kur do të zhvillohen është caktuar nga kryeministri Edi Rama.

Kreu i Grupit të PD-së theksoi se data është caktuar nga Rama dhe se presidenti pritet vetëm që të vulosë vullnetin e partisë në pushtet.

“Tashmë Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet”, shkruan ai.

Deklarata e plotë:

Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.

Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet.

Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet. Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.

Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat