Opozita do të mbajë sot protestë kombëtare në Tiranë ku është paralajmëruar se do të ketë bllokime të pesë rrugëve kryesore.
Sipas agjendës së opozitës, protesta e sotme do të zhvillohet në disa zona të ndryshme, në rrugët dhe rreth rrotullimet kryesore të kryeqytetit. Në secilën nga këto zona protesta do të udhëhiqet nga drejtuesit përkatës të kryesive të PD-së dhe nga deputetët demokratë. Protesta do të mbahet te bashkia, te rreth rrotullimi Zogu i Zi, Rruga e Elbasanit, Sheshi Willson dhe te Pallati me Shigjeta.
Në secilën nga këto zona protesta do të udhëhiqet nga drejtuesit përkatës të kryesive të PD-së dhe nga deputetët demokratë. I pyetur në lidhje me atë që pritet të ndodhë sot kreu demokrat, Berisha u shpreh se PD ka qenë e qartë që nuk është për dhunën dhe luftë guerile kundër “narko-regjimit dhe diktaturës”, por ka zgjedhur ta kundërshtojë atë me anë të mosbindjes civile.
“PD do të vijojë me mosbindje civile, strategji tjetër është dhuna e forca, por ne nuk jemi për luftë guerile. Sot kemi mbështetje si kurrë më parë, por kjo është një rritje e përgjegjësisë sonë. Sirenat e fitores së PD po ushtojnë. Kërkojnë nga qytetarët opozitarë të meritojnë fitoren me mosbindje civile! Është radha jonë”, deklaroi lideri demokrat.
Deputeti i PD-së, Flamur Noka, u bëri thirrje qytetarëve të vërshojnë sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita në kryeqytet.
“Tashmë është radha jonë, është radha e opozitës, është radha e shqiptarëve që të flasin. Nesër në ora 17:00 është radha e qytetarëve që Tirana të jetë nën pushtetin e tyre”, u shpreh Noka gjatë mbledhjes së Federatës së Bashkuar në selinë blu.
Ndërsa shtoi: “Së bashku do u bëjmë thirrje në emër të opozitës të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë nesër të vërshojnë në ora 17:00 drejt Tiranës.”
Flamur Noka theksoi se pushteti duhet të jetë i qytetarëve, jo i kusarëve, që sipas tij ka ardhur koha për t’u dhënë leksionin e duhur. Edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ftoi qytetarët shqiptarë të bashkohen në protestën e thirrur nga opozita më 26 nëntor, në orën 17:00 në Tiranë.