Reagon demokrati Flamur Noka pas shoqërimeve të disa prej protestuesve gjatë protestës së opozitës.
“Kush guxon të prekë një protestues do ketë punë me PD”, tha ndër të tjera Noka.
Tirana është paralizuar që prej orës 17:00 këtë të martë prej protestës së opozitës.
Demokratët ashtu si në protestën e 29 tetorit po vijojnë me të njëjtën strategji të mosbindjes civile, me bllokim rrugësh, bllokim aksesh apo nyjesh kryesore të qarkullimit në kryeqytet.
Deputetët janë ndarë në disa grupe në pikat kyçe të Tiranës, si Bashkia, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Uillson” dhe “Pallati me Shigjeta”.
Shumë prej qytetarëve që kanë qenë duke lëvizur me mjetet e tyre kanë ngelur të bllokuar prej më shumë se një ore tashmë.
Protesta e opozitës nisi me tensione që në minutat e para, pasi policia kundërshtonte bllokimin e akseve në kryeqytet. Deputetët e opozitës nga ana tjetër kundërshtuan efektivët dhe u përplasën fizikisht me ta.