Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, në një intervistë për gazetarin Osman Stafa në News24, në përfundim të protestës së opozitës, tha se ishte një protestë tërësisht paqësore dhe e ligjshme.
“Pa asnjë shkak, në mënyrë anti-ligjore, Policia vendosi të dhunojë qytetarët, duke përdorur të gjitha mjetet që përdoren në protestat e dhunshme, ndërsa protesta ishte paqësore.
Nëse sot kjo polici do të ishte kaq agresive ndaj krimit, sot do të kishin zbatuar urdhër-arrestet e SPAK në Elbasan. Nuk arrestuan askënd këtu, të vetmit që u arrestuan ishin ata jashtë Shqipërisë”, tha Bardhi.
Ai tha se punonjësit e policisë ishin pa një numër identifikimi, duke shtuar se “ne nuk e dimë nëse ishin anëtarë të bandave apo patronazhistë që ishin urdhëruar për të dhunuar mbështetësit e opozitës”.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se përdorimi i forcës ndaj një proteste paqësore ishte tej asaj që përcakton ligji.
“Ne protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar protestuesit do të mblidhen në Bashkinë e Tiranës. Kemi një polici që lag e sulmon qytetarët dhe i ve ombrellën mbrojtëse krimit të organizuar”, tha Bardhi.
Por si do të veprojë opozita pas kësaj proteste?
Bardhi tha se do të veprohet rast pas rasti dhe mediat do e mësojnë të parët planin opozitar. Bardhi tha se do të jenë qytetarët ata që do të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë.