Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas protestës të zhvilluar nga opozita këtë të martë në kryeqytet.
Kryedemokrati ka shpërndarë një video nga protesta në rrjetin e tij social, Facebbok, ku shkruan “Narkobanditi me uniforme spërkat qytetaret ne mosbindje civile me lëndë djegëse!”
Demokratët ashtu si në protestën e 29 tetorit vijuan me të njëjtën strategji të mosbindjes civile, me bllokim rrugësh, bllokim aksesh apo nyjesh kryesore të qarkullimit në kryeqytet.
Deputetët u ndanë në disa grupe në pikat kyçe të Tiranës, si Bashkia, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Uillson” dhe “Pallati me Shigjeta”.
Shumë prej qytetarëve që kanë qenë duke lëvizur me mjetet e tyre kanë ngelur të bllokuar prej më shumë se një orë.
Protesta e opozitës nisi me tensione që në minutat e para, pasi policia kundërshtonte bllokimin e akseve në kryeqytet. Deputetët e opozitës nga ana tjetër kundërshtuan efektivët dhe u përplasën fizikisht me ta.