Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti Kryetarin e Komisionit për Politkat e BE të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Alessandro Giglio Vigna, si edhe anëtarë tëe Komisionit që e shoqërojnë në vizitën zyrtare në Shqipëri.
Kryetarja Spiropali vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer dhe Partneritetin Strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, bazuar në marrëdhëniet historike, njerëzore, ekonomike dhe kulturore intensive, dhe angazhimin e të dy vendeve për avancimin e këtij Partneriteti.
Spiropali shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe fillimit të negociatave për grup-kapitujt I, Themeloret. Shqipëria po përgatitet për mbajtjen e Konferencës së Tretë brenda vitit 2024 dhe fillimin e negociatave edhe për grup-kapitujt e tjerë. Znj. Spiropali vuri në dukje se Shqipëria ka përcaktuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 si një objektiv strategjik kombëtar dhe nënvizoi se, me mbështetjen e dhe të Italisë, ky objektiv ambicioz do të bëhet plotësisht i realizueshëm.
Marrëdhëniet intensive parlamentare, të cilat u rikonfirmuan edhe gjatë takimit në Romë me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, janë një ndër korsitë më të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh. Mbështetur edhe në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputetëve, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në mbështetjen e Kuvendit në lidershipin e e procesit të negociatave të anëtarësimit.
Kryetarja e Kuvendit, Spiropali dhe Kryetari i Komsionit Vigna dhe anëtarët e delegacionit biseduan edhe për aspekte të bashkëpunimit ekonomik, kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë si edhe kontributin dhe partneritetin për mbrojtjen e paqes dhe mbështetjen e Ukrainës.