Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Shqipëria

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 10:48
Antony Blinken

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin e fortë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Blinken ka vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë për vlerat demokratike dhe angazhimin e saj për paqe, siguri dhe sigurinë kolektive të NATO-s.

“Marrëdhëniet e ngushta midis kombeve tona janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike dhe një dëshirë të ndërsjellë për paqe dhe siguri. Shqipëria i ka ilustruar këto vlera nëpërmjet mbështetjes së saj të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar rus, udhëheqjes së saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe angazhimit të saj të palëkundur ndaj sigurisë kolektive të NATO-s. Ne vlerësojmë thellësisht mikpritjen dhe ndihmën e Shqipërisë si mikpritës i përkohshëm për aleatët tanë afganë”, thuhet në urimin e tij.

Ai ka përmendur gjithashtu përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e sundimit të ligjit, duke shprehur besimin se lidhjet mes popujve shqiptar dhe amerikan do të vazhdojnë të forcohen.

“Shtetet e Bashkuara presin me padurim partneritetin tonë të vazhdueshëm në ndjekjen e prioriteteve të përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në deklarimin e tij.

Gjithashtu, ai është shprehur i bindur se lidhjet e forta mes popullit shqiptar dhe atij amerikan do të vazhdojnë të lulëzojnë ndërsa punojnë së bashku “për tregtinë dhe investimet, diversifikimin e energjisë së rinovueshme dhe integrimin më të ngushtë të të gjithë rajonit”.

“Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë në këto përpjekje do të forcojë Shqipërinë, marrëdhëniet tona dypalëshe dhe vlerat e përbashkëta që ne kremtojmë”, ka shtuar ai.

“I uroj popullit të Shqipërisë një festë të gëzuar të Pavarësisë”, ka përfunduar Blinken.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat