Pak para nisjes së Paradës së Shqiptarëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryetarët, nënkryetarët dhe kryetarët e këshillave komunalë anëtare të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, si dhe përfaqësuesit nga komunat arbëreshe.
Në fjalën e tij, Veliaj theksoi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve kudo që ndodhen, si një akt patriotik që forcon themelet e kombit tonë. Ai theksoi se sot shqiptarët po jetojnë ditët e tyre më të mira.
“Sot nuk kërkohet, ashtu si Isa në vakt, që të kalojmë malet. Sot nuk kërkohet që të marrim pushkën dhe të luftojmë. Sot jemi në ditët tona më të mira, jo në ditët tona perfekte, por në ditët tona më të mira.
Shqipëria është një vend që do të jetë ndoshta anëtari i ardhshëm i BE-së, Kosova është e lirë dhe e pavarur, sot kemi mundësi të lëvizim dhe të takohemi me njeri-tjetrin, mundësi që nuk i kemi pasur më përpara. Tirana përpara 2 vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti i Sportit, sivjet ka drejtuar gjithë bashkitë e Ballkanit me B-40 dhe në vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti i Kulturës. Sot jemi në ditët tona më të mira, ndaj është e rëndësishme të kuptojmë nga kemi ardhur edhe të frymëzohemi ku duam që të shkojmë” u shpreh kryebashkiaku.