Festimet në Vlorë për 112 vjetorin e pavarësisë

Shqipëria

Festimet në Vlorë për 112 vjetorin e pavarësisë

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 16:28
Foto ilustrim

Mijëra qytetarë nga e gjithë hapësira shqiptare shkuan sot në Vlorë me flamujt kuq e zi për të shënuar 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në qytetin e flamurit u organizua edhe ceremonia shtetërore ku morën pjesë udhëheqës të lartë nga Shqipëria dhe Kosova. Edhe përfaqësuesit e opozitës organizuan sot një ceremoni nderimi në Vlorë për Ditën e Pavarësisë.

Rrugët e Vlorës u ngjyrosën sot me ngjyrat e flamurit shqiptar kuq e zi teksa mijëra qytetarë nga e gjithë hapësira shqiptare vërshuan në qytetin e flamurit për të shënuar 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Grupe shqiptarësh e nisën herët në orët e mëngjesit me vizita tek Muzeu i Pavarësisë në lagjen “Skelë” ku përmes dokumenteve historike përcillet përpjekja e Ismail Qemalit dhe figurave të shquara të kombit shqiptar për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Më 28 nëntor të vitit 1912 Ismail Qemali dhe delegatë të ardhur nga viset shqiptare në Kuvendin e Vlorës shpallën që “Shqipëria të bëhej më vete e lirë dhe e mosvarme, nën një qeveri të përkohshme”.

Atmosfera festive u zhvendos më pas në Sheshin e Flamurit nën ritmet e këngëve dhe kostumeve shumëngjyrëshe, sidomos të të fëmijëve, të ardhur nga gjithë trevat shqiptare.

Në Sheshin e Flamurit, ku ngrihet edhe Monumenti i Pavarësisë, mijëra qytetarë morën pjesë në ceremoninë zyrtare ku ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Erisa Spiropali, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës vendosën kurora me lule dhe morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar.

Presidenti Bajram Begaj përmes një mesazhi publik të përcjellë sot tha se “nga sheshi historik i Vlorës, simboli i arritjes madhështore të 28 Nëntorit 1912 , uronte festën e pavarësisë për gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen”.

“I ftoj nga Vlora e pavarësisë bashkëatdhetarët tanë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, u shpreh presidenti Bajram Begaj.

Ndërsa kryeministrat Rama dhe Kurti, u ndalën pas ceremonisë në një takim të shkurtër me nipin e Ismail Qemalit, Nedin Vlora i cili ishte sot në Vlorë në festimet tek sheshi i Flamurit.

Zoti Vlora u tha se "ndiente të njëjtin emocion që ndjeu dhe gjyshi i tij në 1912, dhe uroi që Shqipëria të ketë një të ardhme gjithnjë e më të mirë" . “Rroftë Shqipëria e shqiptarët”, tha ai.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri ishin bashkarisht në ceremoninë e ngritjes së flamurit dhe shprehën nderimin për të gjithë heronjtë që dhanë jetën për lirinë e kombit shqiptar dhe përcollën urimet për festën e pavarësisë.

Forcat e Armatosura përshëndetën gjatë ceremonisë së 112-vjetorit të Pavarësisë ku helikopterët e Forcës Ajrore, valëvitën flamurin kombëtar në qiellin e Vlorës.

Edhe përfaqësuesit e opozitës organizuan sot një ceremoni nderimi në Vlorë për ditën e pavarësisë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se “ 28 nëntori është një ditë feste, një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në të gjithë botën”.

Pas ceremonive të mbajtura sot në Vlorë shumë prej të pranishmëve u mblodhën tek Monumenti i Pavarësisë për të shprehur simbolikën e bashkimit dhe unitetit të gjithë shqiptarëve rreth flamurit kuq e zi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat