“Zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull”- Mesazhi i Presidentit Begaj: Politika duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin!

Shqipëria

“Zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull”- Mesazhi i Presidentit Begaj: Politika duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin!

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 20:13
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në ceremoninë e mbajtur me rastin e 112 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dha mesazhin për politikën shqiptare, që duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin.

Begaj u ndal tek zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku, siç u shpreh kreu i Shtetit, interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër.

“Sot, më shumë se kurrë, politika duhet të ndjekë shembullin e tyre. Klasa politike duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin, të dëgjojë shqetësimet, nevojat dhe ëndrrat e tij.

Kthejini sytë nga ata që përfaqësoni! Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër.

Kjo është mënyra për të nderuar ata që shpallën pavarësinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri që e meriton vendin në Evropë.

Hapja e kapitujve me Bashkimin Evropian është më shumë se një proces teknik, është një test i pjekurisë tonë kombëtare.

Ky proces kërkon të forcojmë institucionet, të mbështesim drejtësinë dhe SPAK-un, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë dhe të ndërtojmë një Shqipëri të denjë për shqiptarët dhe për familjen evropiane”, tha nder te tjera Presidenti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat