Festat kombëtare janë një moment kulmor kulturor për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për ata që jetojnë jashtë vendit. Festime të shumta janë mbajtur anë e mbanë botës, kudo ku ka shqiptarë.
Zv. president i diasporës në Itali, Dritan Trimçev, ndau për ABC News panoramën e plotë të festimeve në qytetet italiane ku situata ishte tejet pozitive dhe sheshet u ndriçuan nga flamuri kuq e zi.
“Jo të gjithë e kanë festuar, sepse shumë punojnë gjatë javës, komuniteti shqiptar në disa qytete të Italisë e ka festuar me disa aktivitete. Ambasada ka zhvilluar një ceremoni në Romë ku morën pjesë përfaqësues diplomatik të shteteve të ndryshme. Në shumë qytete italiane autoritetet kanë bashkëpunuar dhe janë sensibilizur nga komuniteti shqiptar për aktivitete kulturore, por dhe për të ndricuar me flamurin kuq e zi. Sheshi Duomo ishte diçka e jashtëzakonshme. Festa vajti shumë mirë, pati një gëzim të organizuar nga shqiptarët e Milanos, nuk pati shqetësime, pasi në Trieste pati turbullira. Piana dei albanesi që është pllaja e Shqipërisë në Siçili e festojnë në mënyre tradicionale, e kanë festuar me shfaqje ku kanë ftuar mysafirë nga Shqipëria, Ballkani, kanë një traditë të jashtëzakonshme sa nuk e di nëse emigracioni mund ta ruajë këtë traditë 500 vjeçare. Dhe në Romë ka pasur festime në teatrin “Italia” me ekspozita mbi historinë e Shqipërisë që është pozitive sepse brezat duhet ta njohin. Në Trieste në sallën “Gusepe Verdi” pati një koncert dhe degustime, në Genova shatërvani në sheshin kryesor u ndriçua me flamurin kuq e zi. Në Brescia komuniteti organizoi një ceremoni, në Asti u organizoi një paradë dhe një mbrëmje me këngë e valle. Në Asti është një komunitet i fortë. Në Torino u mbajt një koncert me këngë shqiptare i pasuar me një ekspozitë. Në Bolonja pati muzikë tradicionale dhe ekspozita për historikun e Shqipërisë. “
Në vijim të fjalës së tij, Trimçev u shpreh se këto festime janë të rëndësishme për të forcuar raportet.
“Këto festime shfaqin lidhjen e fortë që ka diaspora me Shqipërinë. Vitet e fundit qeveria është afruar më shumë me diasporën dhe ka ngjallur një ndjenjë të fortë kombëtare që ishte fjetur për vite me rradhë. Në të ardhmen duhet të shtohet dhe politika shqiptare duhet të dëgjojë fjalën e emigrantëve. Është e rëndësishme të organizojnë takime me komunitetet shqiptare dhe mund të përdorin figura të shquara që komuniteti shqiptar ka në Itali. “