Pas 11 ditësh i shtruar, 14-vjeçari Luis Meçja ka dalë nga spitali.
I mituri mbeti i plagosur 4 herë me thikë gjatë një sherri pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku humbi jetën shoku i tij, Martin Cani.
Spitali Universitar i Traumës reagoi dje në rrjetin social Facebook, duke theksuar se gjendja e Luisit është e stabilizuar dhe se deri më tani situata në të cilën ai ndodhet paraqitet e mirë dhe se nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Në reagimin e spitalit të Traumës thuhet se Luisit i është dhënë shërbimi mjekësor i nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
Spitali i Traumës bën të ditur se ndaj 14-vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive.