Kuq e zi jo vetëm për një ditë, por gjithë vitin. Valëvitja e flamurit apo veshja me ngjyrat e simbolet kombëtare vetëm për festa nuk të bëjnë patriot të mirë, ngrenë zërin sociologët.
Organizimi i paradës së shqiptarëve për 28-29 nëntor propozohet të shoqërohet edhe me nisma konkrete për zhvillimin e vendit duke shfrytëzuar praninë e emigrantëve.
“Ky është një patriotizëm folklorik festiv për Shqipërinë. Por ne duhet të jemi çdo ditë patriot. Në këto ditë duhet të bëjmë një balancë, çfarë arritjesh kemi e ç’duhet të kishim bërë më shumë për vendin? Por ne nuk te kemi shumë të mbushur jetën me aktivitete që ti shërbejnë vetes tonë dhe shoqërisë në tërësi. Unë vë re që ka një shpërthim emocional, por jo racional”, shprehet Zyhdi Dervishi.
Shqiptarët duhet të shfaqin patriotizmin jo vetëm me fjalë e në rrjete sociale, por mbi të gjitha me veprime thotë profesori Zyhdi Dervishi.
“Në këto momente, duhet të bëjmë një refleksion. Të flasim si të zgjidhim problemet e vendit. Ata që vijnë nga jashtë, parakalojnë e festojnë në bulevard dhe të largohen. Nuk jam kundër dhe kësaj, por duhet diçka më shumë, që të ketë peshë. Ata të vijnë në Shqipëri përgjatë vitit për të investuar në vend, të nxiten të ndihmohen me politika lehtësuese për të ndërtuar biznese, fabrika të vogla apo të mëdha sipas mundësive, por ky është kontribut për vendin! Kjo është të jesh patriot. Apo siç thotë më bukur gjuha shqipe atdhetar i mirë…”, shton sociologu.