‘Aleanca Kombëtare Shqiptare’, është një prej forcave politike të reja që do të garojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Një prej bashkëthemelueseve të partisë, Inida Gjata, zbuloi në studion e “Kjo Javë” si nisi kjo ide së bashku me historianen Elena Kocaqi.
Sipas saj partia lindi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për propozimin e krijimit të Shtetit Bektashi në Shqipëri.
“Ishte Edi Rama ai që krijoi partinë tonë përmes kësaj deklarate. Elena Kocaqi dhe unë, të indinjuara nga kjo qasje, vendosëm të veprojmë,” tha Gjata.
Ajo tregoi se pas diskutimeve televizive dhe mbledhjes së firmave nga Kocaqi, të dyja vendosën të formojnë një parti që fokusohet në mirëqenien e njerëzve dhe drejtësinë.
“Ishte Edi Rama ai që krijoi partinë tonë përmes deklaratës për themelimin e Shtetit Bektashi. Unë dhe Elena Kocaqi, meqë jemi bashkëthemeluese, patëm reagimet tona të indinjuara dhe vendosëm. Shteti po shihet si pronë private.
Menjëherë pas një diskutimi në një televizion, diskutova me Elenën. Ajo kishte nisur punën më herët me mbledhjen e firmave. Unë i thashë që dikush duhet të mendojë për njerëzit dhe do bëjmë patjetër parti dhe ti do bëhesh kryeministre.
4 gërmat më të bukura të alfabetit tani janë SPAK. SPAK na ka rikthyer shpresën se me bashkëpunimin e institucioneve duke bërë më të mirën për vendin duke zbatuar ligjin tregon se ka mundësi të bëhet mirë dhe të vendoset drejtësi. Ka ardhur momenti që situatën ta marrin në dorë njerëz të tilla, që bëjnë më të mirën për vendin, siç po bëhet në SPAK.
Unë e mora në telefon Elenën dhe folëm për vizionin tonë dhe programin. Ajo është shumë e ditur dhe e përgatitur”, tha ajo.