Një shtatore e Gjergj Kastriotit u vendos këtë 28 nëntor në Tuz. Me kontributet e diasporës dhe punën në kohë rekord të dy artistëve shqiptarë, tashmë edhe shqiptarët e Malit të zi do të kenë Skënderbeun e tyre. Shtatorja është një nga më të mëdhatë e heroit, dhe vendosja e saj ishte dite feste në Tuz.
Nga sheshi ku është vendosur, Gjergj Kastrioti do të shohë përjetësisht majën heroike të Deçiqit, që për të mbrojtur flamurin që ai ngriti në Krujë në një tjetër 28 nëntor, u la disa herë me gjak nga malësorët e këtyre anëve.
Vendosja e shtatores së Skëndërbeut në Tuz, solli festë në gjithë Malësinë. I madh e i vogël kishin dalë të prisnin heroin e tyre kombëtar
Himni kombëtar dhe Muzika shqiptare kumboi kudo në Tuz këtë 28 nëntor, aq sa të dukej se ishe brenda Shqipërisë, dhe jo në një qytet ku të është dashur të kalosh një doganë dhe të tregosh pasaportën
Për zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, shqiptarin Nik Gjeloshaj, vendosja e shtatores së Skënderbeut në Tuz është një ëndërr e bërë realitet për Shqiptarët, dhe një vulë, se këto troje janë shqiptare, pavarësisht padrejtësive të historisë me to.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, thotë se prania e Skëndërbeut në Tuz është një krenari e madhe, dhe një bazë për gjeneratat e ardhshme, për identitetin e tyre shqiptar.
Ndrek Gjelaj, është drejtuesi i njërës nga shoqatat e shqiptarëve të Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara, që bëri të mundur mbledhjen e fondeve për vendosjen e shtatores. Ardhjen e Skënderbeut në Tuz, ai e sheh si një akt me rëndësi jo vetëm patriotike por edhe historike, që tregon se këto trojë kanë qenë shqiptare, dhe të tilla do të mbeten.
Dy skulptorët, Ardian Pepa dhe Dylber Neziri nuk e fshehin emocionin kur shohin veprën e tyre mbi piedestal.
Ata thonë se kjo shtatore eshtë një nga më të mëdhatë e heroit tonë kombëtar në trojet shqiptare, dhe autorët e kanë titulluar: Gërvishtja e Horizontit.
Shtatoret e Gjergj Kastriotit vitet e fundit janë shoqëruar me debate për realizimin e tyre, nëse i ngjajnë apo jo heroit kombëtar, por artistët thonë së me këtë vepër i kanë qëndruar besnikë historisë dhe përfytyrimit të shqiptarëve për Skënderbeun.
Qytetarët nuk e fshehin krenarinë për këtë moment, që dëshmon edhe njëherë se ata janë shqiptarë, dhe i kanë mbijetuar përpjekjeve për tjetërsimin e historisë së tyre.
Ka nga ata që kanë ardhur enkas nga Shtetet e Bashkuara për këtë moment.
Por Skënderbeu i Tuzit nuk do të jetë i vetëm. Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj,thotë se pas Tuzit, është radha e Ulqinit që të vendosë shtatoren e heroit kombëtar, madje, puna ka nisur.
Dorën e shtetit amë, shqiptarët e Malit të Zi nuk e kanë ndjerë kurrë, as kur ekzistenca e tyre rrezikohej, e as në këtë ditë feste, ku asnjë zyrtar i lartë nuk denjoi t’i bashkohëj gëzimit e festimeve. E megjithatë, malsorët e Tuzit, do të vazhdojnë ta duan Shqipërinë edhe më shumë pas kësaj dite, edhe pse nuk e kanë pranë as për gaz, e as për mort.