Italianët që jetojnë në Durrës, të interesuar për historinë

Shqipëria

Italianët që jetojnë në Durrës, të interesuar për historinë

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 23:05
Foto ilustrim

Të zbulosh dhe të njohësh historinë mijëra vjeçare të Durrësit, ishte qëllimi kryesor i një guide turistike që mblodhi së bashku komunitetin italian që ka zgjedhur të jetojë në këtë qytet.

Arkeologu Jani Koçillari, i cili udhëhoqi guidën, theksoi interesin e madh që ngjall qyteti tek njerëzit e të gjitha moshave. Ai vuri në dukje sesi italianët, banorët e rinj të Durrësit, mbeten të impresionuar ndërsa zbulojnë vlerat kulturore dhe historike të qytetit, si dhe rëndësinë e tij gjatë ngjarjeve të mëdha historike.

Vetë italianët e pranishëm e përshkruan Durrësin si një qytet që i ka surprizuar me pasurinë e tij historike, duke filluar nga antikiteti deri në ditët tona, duke treguar interes të shtuar për ta njohur më shumë.

“Ne jemi rezidentë këtu dhe Durrësi na ka mirëpritur. Ndaj kemi dëshirë të njohim qytetin dhe historinë e këtij populli që kemi zgjedhur, të këtij vendi ku kemi vendosur të jetojmë. Historia e këtij vendi na tërheq, na intereson, duam dhe ne të jemi pjesë e historisë, ndaj na pëlqen të thellojmë njohuritë mbi kulturën, që na bëjnë të ndihemi pjesë e popullit shqiptar”, thotë një prej tyre.

“Prej një viti e gjysmë jetoj këtu. Kemi parë mikpritjen, vlerat e familjes dhe miqësisë dhe se si po ndryshon Shqipëria. Duke qenë se e njohim pak historinë, kjo është një mundësi për të zbuluar vlerat. Ka monumente që ti i shikon, por nuk di më shumë, se si janë ndërtuar, pse janë aty, cilat janë vlerat që kanë. Ndaj kjo është një mundësi për të njohur e mësuar”, shprehet një tjetër. Pasuria kulturore e Durrësit po e vendos gjithnjë e më shumë këtë qytet në qendër të guidave turistike, duke e kthyer në një destinacion të preferuar për t’u vizituar gjatë gjithë vitit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat