Moti i keq në juglindje, 300 familje në Devoll pa energji elektrike

Shqipëria

Moti i keq në juglindje, 300 familje në Devoll pa energji elektrike

Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Moti i keq në Juglindje të vendit, i shoqëruar me reshje të dendura dëbore ka shkaktuar probleme në qarkullim dhe në furnizimin me energji elektrike.

A2 CNN raporton se të paktën 300 familje në fshatrat e njësisë administrative Miras kanë mbetur pa energji.

Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë drejtorisë rajonale të OSSHE të qarkut të Korçës ndërkohë që pa energji elektrike janë edhe 19 familje në fshatrat Lavdar i Vjetër dhe Lozhan.

Të njëjtat burime thanë se një ditë më parë pa energji elektrike kanë qenë mbi 5500 familje në gjithë juglindjen, ku pjesës më të madhe tashmë i është rikthyer energjia.

13 grupe të OSSHE ndodhen në terren për të bërë të mundur rikthimin e plotë të energjisë elektrike edhe në fshatrat e njësisë administrative Miras në bashkinë e Devollit, shkruan A2 CNN.

Pas reshjeve të borës të një dite me parë situata është e normalizuar në gjithë akset rrugore përfshi dhe ato të zonave të thella malore, ku kalimi i mjeteve po kryhet normalisht.

Sakaq, nga Policia Rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve që përdorin kryesisht akset dhe rrugët malore përfshi te fshatrave turistikë të kenë mjetet e tyre të pajisura me goma dimërore.

Ditën e sotme edhe procesi mësimor është zhvilluar normalisht në gjithë shkollat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat