Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu prezantoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”.
Ministri Vengu foli për rëndësinë që ka miratimi i këtij projektligji si dhe qëllimet që synohen të arrihen.
“Ndryshimi i mjedisit të sigurisë kohët e fundit, por edhe sfidat e viteve dhe dekadave të ardhshme, kërkojnë që vendi ynë të rrisë në maksimum kapacitetet dhe sinergjitë e forcave aktive, ndërkohë që është i nevojshëm zhvillimi i një force rezerviste të integruar në forcën aktive, me role dhe detyra të reja e të përcaktuara qartë”, tha ai.
Sipas Vengut, qëllimi i kësaj nisme ligjore është kompletimi i strukturës së shërbimit ushtarak në rezervë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar nivelin e gatishmërisë dhe duke synuar rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes për të përmbushur me sukses operacionet në të cilat kjo forcë përfshihet, si dhe të rregullojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për rekrutimin dhe shërbimin në forcën rezerviste.
Më tej, ministri i Mbrojtjes i njohu deputetët e pranishëm edhe me numrin e trupave rezervë që synohet të afrohen si dhe me kostot për ngritjen e këtij komponenti.
“Kjo ndërhyrje mbështet objektivat e nivelit të lartë të FA dhe Qeverisë, pasi do të mundësojë ngritjen e një trupe rezerviste bashkëkohore, në përgjigje të kërkesave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke rritur kështu numrin e këtij komponenti deri në 20% të forcës aktive”, tha ai.