Ka nisur dje shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët nga 100 deri 150 € në varësi të shumës totale të pensionit.
Bonusi mund të tërhiqet bashkë me pensionin dhe afati për ta marrë është deri në qershor 2025. Bonus do të marrin të gjithë 724,933 pensionistët, nga të cilët 511,173 pensionistë me pension deri 20,000 lekë do të marrin këtë fundvit bonusin 15,000 Lekë, dhe 213,760 pensionistë me pensione mbi 20,000 lekë përfitojnë bonusin 10,000 Lekë. Të gjithë ata 65,763 pensionistë invalidë, 44,561 pensione familjare – gra e burra të ve, fëmijë jetim pavarësisht se sa pension marrin do të kenë bonusin maksimal 15,000 Lekë.
Përfshihen në këtë bonus fundviti edhe 2,900 pensionet e parakohshme të ushtarakëve.
Detajet
Ndërkohë më shumë detaje i ka zbuluar vetë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai bën me dije se deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19,566 bonuse për pensionistët. “Ka nisur sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët! Deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19,566 bonuse, nga të cilët: 13,712 bonuse 15,000 lekë për pensionet nën 20,000 lekë, invalidët dhe pensionet familjare; 5,854 bonuse 10,000 lekë për pensionet mbi 20,000 lekë”, thuhet në njoftim.
Rama: Po hapet një korsi e re për pensionet, do e realizojmë
Ndërkohë më herët pensionet ishin kryefjalë edhe e podcastit të kryeministrit Edi Rama, nga ku kreu i qeverisë theksoi se synohet një qasje e re, për t’i dhënë më shumë para pensionistëve, duke nisur nga shpërblimi i fundvitit. “Po hapim një korsi të re për pensionet, të fillojmë me një qasje më agresive për t’i dhënë më shumë pensionistëve duke filluar nga bonusi i fundvitit, kemi një plan për një rritje më domethënëse se sa ka qenë rritja nga indeksimi. Rritja ka qenë domethënëse, por e papërfillshme se çfarë ka ndodh me pagat dhe ky është momenti për të thënë që të gjithë do japim kontribut, se pensionet nuk janë si taksat, pensionet i merr sot nga pagat e atyre që janë të punësuar dhe në fund të muajit tjetër do ia japësh atyre që presin pensionet, nuk ka një arkë të vetën, por besoj që do ecim”, deklaroi ai.
Në skemën e pensioneve, Rama tha se ndikon edhe deklarimi real i pagave dhe në këtë pikë pati një thirrje për bizneset që të mos nën-deklarojnë rrogat e punonjësve të tyre. Nëse do që t’i fshehësh pagat ke 1 mijë mënyra dhe nuk është e lehtë për administratën që të zbulojë, ama me gjithë ca kemi bërë me fiskalizimin e inteligjencën artificiale, do e kemi shumë herë më të thjeshtë se nuk duam të rëndojmë biznesin me kontrolle. Nga 2013 deri më sot kemi nxjerrë nga e zeza dhe kemi formalizuar 300 mijë dhe është shumë domethënëse por ka shumë për të bërë, dhe duam të shtyjmë fort këtë moment”, nënvizoi Rama ka nisur edhe një tur diskutimi me pensionistët në të gjithë vendin.