Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji foli në Kuvend edhe në emër të grupit parlamentar të grave të PD, duke prezantuar tre amendamente. Gjergji e nisi fjalën me një kujtesë për Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, ndërsa roli i shoqërisë sipas saj duhet të jetë më proaktiv në drejtim të këtij komuniteti.
“Në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, është koha kur shoqëria shqiptare duhet të jetë më proaktive në mbështetjen e këtij komuniteti që nuk kërkon mëshirë, por dinjitet dhe mundësi. Por, të jetosh me një aftësi ë kufizuar në Shqipëri do të thotë të kesh kurajën dhe guximin për të kapërcyer çdo vështirësi. Është për të ardhur keq që ne po hyjmë në vitin 2025, po miratojmë buxhetin dhe jemi kaq mbrapa në krijimin e kushteve dhe mundësive për këtë komunitet, që ka potencialin, por nuk e shpreh dot. Është koha të kemi një vëmendje më të shtuar ndaj këtij komuniteti. Sot PD po propozon disa amendamente që kanë të bëjnë me jetën dhe hallet tuaja, edhe pse qeveria e ka gati refuzimin dhe në këtë orë që voton. Si përfaqësues të zgjedhur, do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë deri në fund”, tha Gjergji.
Deputetja e PD-së deklaroi se paraqet tre amendamenteve, një në emër të zonjave të PD dhe dy propozimeve të tjera në sektorin e shëndetësisë.
“Mbulimi universal i shëndetit mbeti një utopi, një farsë e qeverisë Rama në 11 vite. Propozimet tona do të ishin një ndihmë e çmuar për njerëzit në hall dhe vështirësi. Tumoret po marrin mijëra jetë njerëzish në Shqipëri, sëmundshmëria nga kanceri i gjirit që prek gratë po njeh rritje nga viti në vit. Numri i grave me sëmundje tumorale është më i lartë se ai që diagnostikohet, kjo si pasojë e mungesës së aksesit në mamografi, por edhe të barrierave sociale dhe kulturore. Në Shqipëri, kanceri i gjirit, përbën 11% të kancereve që prekin gratë dhe 30% e grave që jetojnë në popullatë me një neoplazi malinje kanë kancer gjiri. 744 gra me kancer gjiri gjatë vitit të kaluar, pra një rritje me 14% e incidencës, ndërsa mbijetesa nga kanceri i gjirit ka pësuar ulje si pasojë e mungesës së trajtimeve dhe mbrojtje sociale. Pra, përveç rrezikut për humbjen e jetës ka vështirësi për t’u ndjerë sërish grua”, theksoi ajo.
Deputetja Zheni Gjergji, referuar amendamenteve të paraqitura në Kuvend, kërkoi që në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” të vendoset pajisja e petskanerit që është një emergjencë, sipas saj.
“Një nga mjetet më të mira diagnostikuese i vlerësuar nga ekspertët për diagnostikimin e kancerit dhe metastazave të tij në fazë të hershme. Në QSUT pacientët nuk e marrin këtë shërbim. 450-750 mijë euro kushton si pajisje dhe për buxhetin e shtetit nuk është problem si shifër. Pajisja me akseleratorë linearë është një tjetër nevojë për pacientët që kanë nevojë të marrin rrezatim në varësi të sëmundjes tumorale. Në QSUT ka vetëm dy pajisje, por për shkak të defekteve janë krijuar radhë të gjata, e pacientët nuk e kanë marrë trajtimin përtej protokollit mjekësor. Kërkojmë shtim me dy akseleratorëve linearë, njëherësh edhe një fond për proteza për rikonstruksionin e gjirit dhe paruke për gratë me kancer gjiri”, u shpreh Gjergji.
Dy amendamentet e tjera të prezantuara nga deputetja Gjergji ishin shtim për numrin e barnave të rimubursueshme dhe rritje e Fondit të Onkologjikut. Të tre amendamentet u hodhën për votim dhe u rrëzuan në Kuvend.