Rritja e pensioneve, eksperti i ekonomisë: I gënjejnë të moshuarit

Shqipëria

Rritja e pensioneve, eksperti i ekonomisë: I gënjejnë të moshuarit

Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 13:51
Koço Broka

Rreth 118 miliardë lekë janë vënë në dispozicion të skemës së sigurimeve shoqërore përgjatë vitit 2023. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i ekonomisë, Koço Broka thekson se raporti kontribues/ pensionistë ka prirje të shkoje 1:1, çka kufizon mundësinë për një rritje të dukshme të pensionit.

Më tej Broka thekson se aktualisht në Shqipëri ka një model ekonomik që funksionon për 5 %, ndaj pensionistët i gënjejnë me “lugën bosh”. Eksperti i ekonomisë e cilëson luftën ndaj informalitetit si një mënyrë efikase të domosdoshme për të rritur masën e pensioneve në vend.

Sa kanë qenë kostot për skemën e sigurimeve shoqërore?

Rezulton se për vitin 2023, në vendin tonë në skemën e detyrueshme, numri i kontribuesve urbanë të sigurimeve shoqërore ishte 700439 vetë, përveç kontribuesve vullnetarë dhe ata të zonës rurale. Duke shkuar dhe dy grupet e fundit numri i tyre shkon në 783,271 kontribues gjithsej për skemën e detyrueshme publike, pa përfshirë kontributet që mbulon shteti. Por duke iu referuar vetëm kontribuesve urbanë mbi bazën e të cilave mund të gjykohet në tërësi mbi skemën e pensioneve të detyrueshme rezulton se janë realizuar 117 miliardë e 450 milionë lekë gjithsej në vit, ose 13973 lek në muaj, kur numri i pensionistëve gjithsej ka rezultuar 704,999 vetë. Këtu duhet marrë parasysh se numri i tyre vazhdon të rritet kreshendo me një ritëm rritje rreth 2% në vit pavarësisht efektit Covid 19.

Si paraqitet numri i pensionistëve gjatë viteve të fundit? Po numri kontribuesve?

Në se në vitin 2018 numri i pensionistëve gjithsej ishte 635735 vetë, ata pësuan me një rritje 10.9 % deri në 2023. Por ndërkohë niveli i të ardhurave nga kontributet për një kontribues në vitin 2018 ishte vetëm 9487 lekë në muaj, duke pësuar një rritje prej 147.3 për qind. Kjo rritje shumë e lartë është rrjedhojë e rritjes së pagës minimale sidomos pas vitit 2020 e këtej dhe rritjes së pagave në sektorin publik në vitin 2023 që vazhdoi për vitin 2024 e vazhdon dhe shtrin efektin e vet dhe në 7 mujorin e 2025.

Si mund të ndikojnë faktorët që përmendëm më lart në skemën e pensioneve?

Këta faktorë zor se mund të veprojnë në këto përmasa në vitet në vijim, por do të kenë përmasa të vogla duke pasur si dysheme indeksimin e pagave sipas inflacionit, që pritet të fillojë nga viti 2026. Në kushtet kur numri i kontribuesve urbanë është thuajse sa numri i pensionistëve gjithsej, dhe niveli i kontributit mesatar në muaj është vetëm rreth 14 mijë lekë në muaj, dhe raporti kontribues/ pensionistë pas një rikuperimi ka rënë në 1.17 dhe ka prirje të shkoje 1:1, është e qartë se mundësia për një rritje të dukshme të pensionit është e kufizuar.

Si ndikoi rritja e pagës në sektorin publik në shtimin e bonusit për pensionistët?

Natyrisht vazhdimi i rritjes së pagës në sektorin publik për vitin 2024 dhe për rrjedhojë dhe deri në 7 mujorin e 2025, krijon një mundësi për një shtim të bonusit. Kjo situatë gjithsesi kërkon një luftë reale kundër informalitetit si në trajtën e mosdeklarimit fare të pagave ashtu dhe në trajtën e nëndeklarimit të tyre. Nëse deri tani Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve iu ka dërguar dërguar shkresë 37.331 tatimpagues të identifikuar me risk në fushën e informalitetit, dhe këta të fundit duhet të reflektojnë deri në 20 nëntor, transparenca se sa prej tatimpaguesve sidomos i atyre që punojnë me kontrata me sektorin publik, po i përgjigjen Tatimeve dhe sa jo dhe si do veprohet me këta të fundit, merr një rëndësi të posaçme.

Por kjo kërkon një informacion të saktë dhe të besueshëm ndërkohë si të numrit të kontribuesve ashtu dhe masës së pagimit të kontributit si në tërësi ashtu dhe për çdo grup subjektesh. Në se krahasohet masa mujore e kontributit mesatar në sektorin privat, ajo është shumë më e vogël se në sektorin publik, si në ndërmarrjet buxhetore ashtu dhe ndërmarrjet jobuxhetore por ndërkohë si rrjedhojë sidomos e rritjes shumë të madhe të pagës minimale, rritja kontributit si në tërësi dhe veçanërisht për sektorin privat si rezulton nga të dhënat e tabelës, ka qenë shumë e madhe.

Cilat janë mënyrat e rritjes së pensionit, rrugët që duhet të ndiqen?

Për një rritje të pensioneve gjithë shoqëria jonë duhet të përballet me faktet dhe i nevojitet të mbajë një qëndrim konstruktiv që të mundësojë jo thjesht konstatimin por të kontribuojë për zgjidhjen e problemit, rritjen e pensioneve. Duke mbetur rruga e luftës kundër informalitetit si rruga kryesore në të dy trajtat e tij, duhet pasur parasysh se vitet e fundit sidomos pas reformës në drejtësi, dhe më pas korrektimit hierakik të pagave në sektorin publik, nga njëra anë vihet re një rritje jo e zakonshme e pensioneve suplementare, ndërkohë ulje e pensioneve mesatare të reja dhe shtimi i pensioneve të ulta me të cilat të cilat zor se mundësohet përballimin e nivelit minimal të jetesës.

Kjo do të thotë se në buxhetin e shtetit vitet e fundit nuk kanë munguar paratë për 5 % e të pasurve dhe të privilegjuarve, apo për nivelin më të lartë të tyre, ndërkohë të varfrit varfërohen gjithnjë e më shumë duke u lënë tani për tani në fatin e tyre. Koha kërkon shmangien e demagogjisë dhe këtij realiteti të hidhur.

Cili është komenti juaj mbi rritjen e pensioneve nga ana e qeverisë?

Sot kemi një model ekonomik që funksionon për 5 %, ndaj pensionistët i gënjejnë me lugën bosh. Atakimin e këtij modeli në fushën e pensioneve e ngriti hapur sidomos Banka Botërore kur u diskutua reforma e pensioneve në vitin 2014. Por politikëbërësit dhe vendimmarrësit, deputetët e gjithë krahëve politikë e shmangën këtë apel dhe i vunë bërrylin. Është tepër pozitive që këtë problem e ringre një deputete, pensioni i së cilës është pjesë e kësaj 5%”.

Në gjykimin tuaj cilat janë ndryshimet që duhen bërë në projektbuxhetin 2025?

Njohja dhe ndryshimi në projektbuxhetin e vitit 2025 që të gjithë atyre që paguajnë sigurimet shoqërore në sektorin (firmat) privat, që t’u kthehen mbrapsht nëpërmjet rritjes përkatëse të pensionit do të ishte një ogur dhe është një rrugë e që shpreh gatishmërinë e politikëbërjes e sidomos mazhorancës, përfshirë Kryeministrin që t’u vijë në ndihmë të gjithë personave që janë korrekt me shtetin, detyrohen të punojnë për të përballuar nevojat e tyre edhe pasi kanë mbushur moshën në pension. Premtimi i Kryeministrit në takimin me pensionistët e Korçës, nuk duhet të mbetet në letër, por është e nevojshme të materializohet ne ligjin e buxhetit 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat