Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, mbajti fjalën e tij gjatë seancës plenare të sotme në Parlament, ku u diskutuan amendamentet dhe u realizua votimi i tyre.
Gjatë fjalës, Vasili theksoi se kjo qeveri po tregon urrejtjen, përbuzjen dhe mungesën e mbështetjes ndaj grupeve më në nevojë të shoqërisë, siç janë të papunët, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, Vasili foli edhe për shumë nga premtimet e dhëna nga mazhoranca që nga vitet e kaluara, të cilat tashmë janë bërë të qarta për dështimet, pasi asnjë prej tyre nuk është realizuar.
“Kemi dëgjuar më shumë durim akuzën për populizëm, ato që ne propozojmë janë populizma dhe ky është problemi me i madh që ju shqetëson ju. Megjithatë nuk besoj që keni koncesionuar edhe të drejtën për të folur ju dhe ju të jeni populist apo të bëni si të tillë ndërsa të tjerët akuzohen si të tillë.
Kur u premtua shëndetësi falas, a ishte populizëm?
Po kur u premtuat TVSH zero për të gjitha produktet e shportës, ishte populizëm?
Po kur u premtua ujë nja 13 herë radhazi falas, ishte populizëm?
Po kur u premtua që do të kishte ujë në çdo parcelë të bujqësisë, këto nuk janë populizma?
Këto janë korrektesë e madhe politike, ky është minimumi i qartësisë që ju keni. Ata që kanë përdorur populizmin në mënyrën më të keqe dhe të shëmtuar jeni ju. Këtë nuk e luan topi. Pikërisht edhe sot kthimi i gjithë grupit në një barrikadë , bunkier politik për të shndërruar këtë seancë në seancë formale është edhe antipolitike dhe antikushtetuese. Kjo është një seancë që thërret mazhorancën për të reflektuar mbi problemet e rënda sepse përballë kemi një Shqipëri që pakësohet për shkak të problemeve të mëdha sociale dhe varfërisë.
Amendamenti për papunësi dhe paaftësinë, jam në dilemë ta diskutoj më gjatë apo thjesht të përmend shtesë për këtë gjë. Sepse dhe shtesa për papunësisë dhe paaftësinë i ka komentet vetë. Është shtresa ku mjerimi ka një fytyrë që mjerimi migjenian do hynte në krizë. Është një masë frikshmërisht e ulët thuajse zero, dhe amendamenti ynë është një shprehje, vullneti shpreh vëmendje, sensibilitet por transformimi për këtë shtresa duhet të ishte rrënjësor”, u shpreh ai.