Ndarja nga jeta e Arben Tafajt, reagon ish-Presidenti Bamir Topi: Ishte dëshmitar sesi politika djallëzore e la komunitetin mikpritës gati pa përfaqësim

Shqipëria

Ndarja nga jeta e Arben Tafajt, reagon ish-Presidenti Bamir Topi: Ishte dëshmitar sesi politika djallëzore e la komunitetin mikpritës gati pa përfaqësim

Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Ish-presidenti Bamir Topi, ka reaguar pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të Arben Tafajt, kreu i shoqatës “Tirana”.

Bamir Topi thotë se ai ishte një dëshmitar se si politika djallëzore e mosmirënjohëse e la komunitetin mikpritës gati pa përfaqësim.

Ish presidenti thote se Arben Tafaj ishte dhe do të kujtohet si një përfaqësues autokton i  një komuniteti fisnik që ka pritur kurdoherë banorë të rinj nga viset e Shqipërisë.

“Qytetaria e Tironës humbi përfaqësuesin dinjitoz e të palodhur, pjesëmarres aktiv si intelektual por dhe si Kryetar afatgjatë i Shoqatës Tirana, i cili u përfshi në jetën politike të kryeqytetit me përkushtim për të përfaqësuar atë që nuk e përfaqësonin kurrsesi kolegët e tij, pasi askush si ai nuk mund ta donte e të ndjente më shume atë”.

Reagimi i plotë:

IKJA E BEFTË E NJË MIKU

Një telefonatë e pazakontë herët në agim, lajmeronte ikjen e papritur nga jeta të Ben Tafajt, shokut e mikut tim qysh nga fëmijëria.

Pas përballimit me shumë forcë e dinjitet të një sëmundje të rëndë të vitit që kaloi, vdekja e tërhoqi pa mëshirë aksidentalisht në mjediset e shtëpisë së tij, në malin e DAJTIT që sikurse i thonim njëri-tjetrit, mbetet për tiranasit simbolika autentike e origjinës sonë dhe frymëzim i shpirtit për çdo ditë që jetojmë.

Familja humbi njeriun e shtrenjtë, bashkëshortja njeriun e jetës, fëmijët babain e udhëheqësin shpirtëror në jetë, motra e vëllai njeriun e gjakut të tyre, duke krijuar një boshllëk të madh.

Tirona, humbi djalin e urtë e fisnik i cili punoi e u mundua shumë për ruajtjen e promovimin e vlerave të qytetit ku lindi, jetoi dhe që e donte shumë.

Qytetaria e Tironës humbi përfaqësuesin dinjitoz e të palodhur, pjesëmarres aktiv si intelektual por dhe si Kryetar afatgjatë i Shoqatës Tirana, i cili u përfshi në jetën politike të kryeqytetit me përkushtim për të përfaqësuar atë që nuk e përfaqësonin kurrsesi kolegët e tij, pasi askush si ai nuk mund ta donte e të ndjente më shume atë.

Arben Tafaj ishte dhe do të kujtohet si një përfaqësues autokton i  një komuniteti fisnik që ka pritur kurdoherë banorë të rinj nga viset e Shqipërisë, e pikërisht sëbashku me ata ka punuar për të ndërtuar ura komunikimi njerëzor në gjurmët e të parëve të Tiranës, por ai ishte edhe dëshmitar sesi politika djallëzore e mosmirënjohëse e la komunitetin mikpritës gati pa përfaqësim.

Për këtë arsye atij iu desh të punojë shumë për të mbajtur gjallë traditën dhe historinë e trevës si individ dhe Kryetar i Shoqatës Tirana me të cilën ai ishte i lidhur në mënyrë organike.

Ikja pa kthim e Benit drejt një bote tjetër natyrisht le edhe pengje, në kohën kur marrëdhëniet njerëzore janë dobësuar apo tjetërsuar ndjeshëm vitet e fundit, marrëdhënie për të cilat punoi fort për një mjedis më të shëndetshëm shoqëror.

Vdekja e zezë për çdo njeri nuk dihet se si vjen e në çfarë rrethanash ndodh. Ndonëse aksidentale dhe e pabesë, ajo e mori Benin tonë në hapësirat e shtëpisë së tij “pa shqetësuar” njeri.

Tirana, familja e shoqëria e gjerë që ai ndërtoi do ta kujtojnë me respekt e mirënjohje Arbenin.

Qoftë i parajsës!

Bamir TOPI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat