Kreu i PD-së Sali Berisha u ndal sot në mbledhjen e grupit të PD-së dhe për akuzën e maxhorancës se ka shitur Hotel Dajtin për bonusin e pensionistëve.
Ai tha se nëse e ka bërë, ka bërë gjënë më të mirë. Berisha foli dhe për propozimin e PD për buxhetin, duke thënë se” do të jetë alfa e programit tonë”. Sipas tij, amendamentet do të votohen vitin e parë të qeverisjes së PD.
“Unë dua të shpreh sot vlerësimin më të madh për përkushtimin dhe punën që keni bërë në debatin për procesin themelor vjetor për çdo parlament dhe çdo vend, që është buxheti. Mendoj se në diskutimet dhe në përgatitjet që bëri grupi parlamentar, jashtë propagandës, bëri gjithçka për të adresuar problemet më të dhimbshme, më të mprehta të shoqërisë së sotme shqiptare, të krijuara nga kjo vjedhje që tejkalon çdo imagjinatë të fondeve dhe pasurive publike, por të shoqëruara nga një humbje totale e ndjeshmërisë të atyre që vjedhin nga viktimave të tyre, qytetarëve.
Mjafton t’u rikujtoj këtu se si Lubi Balluku përsëriste dje, duke kujtuar se më akuzonte, se ka shitur Hotel Dajtin për t’u dhënë bonusin pensionistëve. Po në qoftë se e kam bërë për atë qëllim, kam bërë gjënë më të mirë.
Ua them ju këtu, kur shoh që ky u ka dhënë trafikantëve 6 milionë metër katrorë troje turistike me 1 euro, kurrë një mijë herë para qeveria jonë do i nxirrte në treg ato dhe paratë do ua jepte pronarëve dhe pensionistëve dhe kurrë nuk mund të vepronte në këtë mënyrë.
Pra, u kishim dhënë paratë e Hotel Dajtit pensionistëve, sikur ua kishim dhënë armiqve të egër të shoqërisë shqiptare, jo njerëzve që në çdo rrafsh, asnjëherë nuk u del borxhit.
Nuk u del borxhit sepse janë prindër, janë gjyshër, nuk u del prindër se kanë shkrirë jetën në këtë vend, nuk janë larguar, kanë punuar këtu.
Nuk u del borxhit sepse në mënyrë të pamëshirë, krijon një diferencë të tmerrshme midis rrogës maksimale dhe pensionit të themi maksimal.
Në Shqipëri, rroga mesatare, është një e dhjeta e rrogës së Dumanit. Është një e shtata e rrogës së Edi Ramës.
Në SHBA, rroga mesatare është një e pesta e rrogës së presidentit. Pa diskutim. Në Gjermani e njëjta me rrogën e kancelarit dhe kudo.
Por vetëm ata që kanë mundësi që të shumëzojnë me zero qytetarët, i lejojnë vetes gjëra të tilla. Prandaj ne kemi bërë një gjë shumë të mirë. Keni bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë”, deklaroi Berisha.
Ai tha më tej se i është mirënjohës Bankës që e bleu Hotel Dajtin dhe i ruajti origjinalitetin.
“Edhe njëherë, ju lutem shumë, në të gjitha takimet me zgjedhësit, duhet t’ua bëni të qartë se do jenë alfa e programit tonë.
Ato amendamente do votohen vitin e parë të qeverisjes sonë.
Dhe ishte gjë shumë serioze, një përgatitje shumë serioze që u bë. Sigurisht që nuk do i pranonin dhe argumenti ishte se u kishim dhënë pensionistëve paratë e shitjes së Hotel Dajtit, po kjo na nderon. Ua kishim dhënë armiqve.
Ia shitëm Bankës, i jam mirënjohës Bankës që e bleu, pavarësisht se ata e arrestuan Fullanin në verbëri, pa asnjë fakt për atë blerje, që ishte e tëra ligjore. Po kullë aty nuk do ndërtohej. Nuk mund ta merrnin oligarkët atë.
E mori Banka, e ka rikonstruktuar, i ka ruajtur origjinalitetin e vet dhe ajo është ndërtesë që trashëgohet, që tregon se Tirana edhe në vitet ‘40 të shekullit të kaluar ka pasur ndërtim të tillë, e nderon”, u shpreh Berisha.