“Krimi i organizuar ka korrigjuar shkresën e Prokurorisë”, Karamuço tregon episodin: SPAK ka prova ulëritëse

Shqipëria

“Krimi i organizuar ka korrigjuar shkresën e Prokurorisë”, Karamuço tregon episodin: SPAK ka prova ulëritëse

Më: 4 dhjetor 2024 Në ora: 21:13
Ervin Karamuço

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh se SPAK në hetimet e kryera nuk është bazuar vetëm tek bisedat e zbërthyera nga aplikacionet, por këto të dhëna i ka kryqëzuar dhe me prova të tjera dhe më pas dosjen e ka përcjellë në Gjykatë.

Ai theksoi se ka raste ku në Sky Ecc janë gjetur prova kokëforta, të cilat kanë vërtetuar katërcipërisht abuzimin dhe lidhjen e institucioneve të drejtësisë më krimin e organizuar.

Gjatë diskutimit në “Real Story”, Karamuço tregoi një rast, i cili është në hetim, ku sipas tij krimi i organizuar ka korrigjuar shkresën e një prej prokurorive të rretheve dhe më pas këtë shkresë Prokuroria ia ka përcjellë SPAK.

Këto prova thotë ai janë ulëritëse dhe tregojnë lidhjen dhe ndikimin që ka krimi në Prokuroritë e rretheve.

“Asnjë dosje që SPAK ka çuar në gjykim nuk ka  vetëm këto si prova, ka edhe veprime të tjera hetimore, që vërtetojnë se çfarë ka ndodhur në të vërteta. Ka raste të tjera, që janë ende nën hetim, ku vetë Sky është një provë e pakundërshtueshëm, pasi përveç shkrimeve ka dhe foto, ka dhe personazhe në foto ka dhe shkresa në foto, është një rast që hetohet këto kohë, ku një shkrese e një prej prokurorive të Shqipërisë është korrigjuar nga ana e krimit të organizuar se çfarë do t’i kthehet përgjigje SPAK dhe çfarë jo, mbasi është korrigjuar ajo shklesë, shkresa ka vajtur në SPAK nga vetë prokuroria e atij qyteti. Tani SPAK ka edhe fotografinë, ka dhe korrigjimin që ka bërë krimi i organizuar, ka dhe letrën që i ka ardhur nga prokuroria. Ka provë më të fortë se kjo? SPAK kërkonte informacion, shqetësohet prokuroria e lidhur me krimin e organizuar dhe I thotë si ta kthejmë përgjigjen,  na jepni një version, i jep mend krimi i organizuar dhe i kthehet në këtë formë dhe kjo është ulëritëse. Kjo është shumë e rëndë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat