Curi: Opozitës i vjen inat se pozita bëri diçka që e kishin ata në mendje!

Shqipëria

Curi: Opozitës i vjen inat se pozita bëri diçka që e kishin ata në mendje!

Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 22:00
Ilustrim

Ligji për faljen e gjobave i propozuar ditën e sotme në Kuvend nga mazhoranca, ishte tema e diskutimit këtë mbrëmje në emisionin “Top Story”.

Panelistët e shohin në dy këndvështrime këtë nismë, si një nismë të mirë por të vonuar, dhe si një nisme tërësisht elektorale.

Sipas analistit Arjon Sulo, kjo është një tallje e qeverisë ndaj atyre personave që janë gjobitur për ndërtimin e një çatie apo një muri rrethues.

“Është kurth politik i poshtër, në kufijtë e talljes dhe poshtërimit të atyre mijëra shqiptarëve që janë gjobitur deri me 20 mln lekë të vjetra për një çati apo për një mur. Është tallje me njerëzit dhe është për qëllime elektorale”, tha Sulo.

Nga ana tjetër Alban Dudushi tha se opozita ra në kurth sot nga pozita, pasi u duk sikur nuk do ta votojë këtë ligj vetëm se është propozuar nga PS.

“Ne ende nuk e kemi parë ligjin, por i rrimë në parim. A biem dakord që ky është një ligj elektoral? Më shumë sesa një ligj elektoral, në këtë situatë që jemi, mendoj se është një taktikë elektorale që e ka përdorur sot mazhoranca dhe ka futur në kurth opozitën. Krijoi idenë që vetëm pse e ka propozuar mazhoranca, ata do ta votojnë kundër. Nga zelli i tepërt bie në kundërshtim nga ato që ka thënë deri tani për këto gjoba. Me mënyrën si ata u sollën sot në Kuvendit, ia dolën që ta nxjerrin opozitën “si budallaqe””, u shpreh Alban Dudushi.

Deputeti Agron Shehaj, e cilëson një ligj për të mbledhur vota, dhe në shkelje të ligjit pasi bëhen në prag zgjedhjesh.

“E treguar në këtë mënyrë, ke të drejtë, por ajo që ka ndodhur është se mazhoranca ka shkelur ligjin, procedurat”, tha Shehaj.

Ajran Curi tha se opozita u gjet e papërgatitur, dhe se nuk do duhej ta kundërshtonte, por të kërkonte përfshirje më të gjerë të këtij ligji.

“Opozita u gjend sot e papërgatitur, ata që ishin në parlament të paktën. Opozitës në këto raste nuk mund t’i vijë inat që e bën mazhoranca atë që ata e kishin në mëndje. Opozita duhej të thoshte ‘keni dëshirë për të falë? Ok, hajde ta zgjerojmë faljen’, ta bënte opozita këtë dhe të shikonte”, tha Curi.

Lorenc Vangjeli u shpreh se kjo nismë është e mirë, por do duhej të ishte bërë më parë.

“Do duhej një iniciativë ligjvënëse nga ministria dhe më pas të vinte në Kuvend. Berisha e ka bërë një gjë të ngjashme në 2019, në prag zgjedhjesh, por ndoqi këtë rrugë. Në dy vite askush nuk u kujtua për këtë”, tha Vangjeli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat