Balluku inspekton punimet: Drejt fundit “Loti 4” i Unazës së Madhe

Shqipëria

Balluku inspekton punimet: Drejt fundit “Loti 4” i Unazës së Madhe

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 16:21
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka inspektuar sot punimet në Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Teksa puna vijon me tre turne në Lotin 5 dhe 6, ministrja tha se kanë përfunduar totalisht Loti 3 dhe Loti 4.

Në lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, që kalon në zonën e Shkozës, po vijon puna për asfaltimin. Ndërtimi i këtij segmenti ka qenë kompleks, megjithatë pritet që të përfundojë brenda këtij viti.

“Kushtet e motit nuk na kanë ndihmuar shumë ditët e fundit dhe ato janë të dëmshme kur vendosen shtresat asfaltike. Lidhja e Lotit 3 me Lotin 4 totalisht të përfunduara, ndërkohë që po punohet intensivisht në Lotin 5 dhe Lotin 6. Janë lote që kanë pasur volume më të mëdha dhe kompleksitetin e madh të shpronësimeve”, tha Balluku.

Balluku theksoi se kantieret do monitorohen deri ditën e fundit të punës.

“Do vazhdojmë me inspektimet, ARRSH-ja, stafi i Ministrisë do të jetë deri në ditën e fundit në kantier. Kemi një afat që ka qenë sfidues. Por duhet thënë se në Shqipëri tashmë kemi kompani me kapacitete të jashtëzakonshme dhe që kanë ekspertizën e duhur”, përfundoi ministrja.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë, një shpejtësi e kufizuar kjo në projektim, siç shpjegojnë ekspertët e ARRSH, për shkak të shumë hyrje-daljeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat