Berisha nuk do e përfshijë në listën e PD-së në zgjedhje, Basha: E turpshme!

Shqipëria

Berisha nuk do e përfshijë në listën e PD-së në zgjedhje, Basha: E turpshme!

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 17:15
Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka hedhur poshtë çdo mundësi që Basha të jetë pjesë e listës së PD-së në zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen më 11 Maj 2025.

Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se ish-kryeministri është shndërruar sipas tij, në një mjet të Edi Ramës, duke e ndihmuar në zhvendosjen e vëmendjes nga aferat korruptive të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin.

Sipas tij, Berisha ka pranuar mbështetjen e Ramës për interesa personale, duke lënë në hije opozitën dhe duke dëmtuar kauzën demokratike.

“Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë”, shkruan Basha.

Reagimi i Bashës:

Fatkeqësisht, dosjet e Sali Berishës e kanë kthyer atë në asetin e Edi Ramës, të cilin e përdor për të mbajtur debatin publik larg aferave të panumërta korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj të tmerrshme me krimin.

Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë.

Është e kuptueshme, që politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik, kështu që, përsa kohë Trekëndëshi i Bermudës po shtrëngon radhët në përballjen me SPAK-un, i ngelem vetëm unë me të cilin mund të merret për të hedhur në publik shashka qesharake.

Ndaj jemi më të vendosur se kurrë për të mos i lënë demokratët pa alternativën e duhur dhe të besueshme, me të cilën të ndihen të përfaqësuar, të nderuar dhe jo të tradhëtuar.

Deklarata e Berishës

Kujtojmë se në një konferencë për shtyp, Sali Berisha i pyetur nëse ish-kryetari i PD-së do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë u shpreh shkurtimisht “jashtë çdo lloj mundësie”.

“Jashtë çdo lloj mundësie, aq sa mund të jetë Taulant Balla. Nuk i referohem vetëm Toyota Yaris, ata u mpleksën shumë me njëri-tjetrin. Janë disa çështje”, u shpreh Berisha.

Ndërsa pyetjes nëse do e heqë Bashën nga Grupi Parlamentar i PD-së, ish-kryeministri iu përgjigj: “Vëllain siamez të Taulant Ballës do e lëmë me Taulant Ballën. Ai nuk ka rëndësi regjistri, ai është si binjak siamez i Taulant Ballës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat