Komisioni i Venecias i jep të drejtë mazhorancës, grupi parlamentar i PD akuzon Spiropalin: Po mban të fshehtë draft-opinionin

Shqipëria

Komisioni i Venecias i jep të drejtë mazhorancës, grupi parlamentar i PD akuzon Spiropalin: Po mban të fshehtë draft-opinionin

Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 19:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas lajmit se Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë mazhorancës, duke theksuar se deputetët nuk mund të detyrohen apo imponohen për të votuar në një mënyrë të caktuar.

Në një reagim publik, grupi i PD akuzon kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali se po mbante të fshehtë draft opinionin e Venecias, dhe se sipas tyre, po dizinformon dhe po nxjerr nga konteksti opinionin e “Venecias”.

“Mbajtja e fshehtë e draft opinionit të Komisionit të Venecias që është miratuar sot, apo përjashtimi i opozitës nga ky proces, ka patur si qëllim pikërisht dezinformimim e opinionit publik përmes prodhimit të lajmeve të pavërteta të sajuara nga Kryetarja e Kuvendit dhe me fjali të nxjerra jashtë kontekstit të opinionit të Komisionit të Venecias.

Padyshim kur ka trajtuar parimin e mandatit jo detyrues, jo Komisioni i Venecias, por edhe vetë Gjykata jonë Kushtetuese, sqaron që deputetet si rregull janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre, por ky rregull sigurisht që nuk ka lidhje me çështjen në fjalë, siç Gjykata Kushtetuese ka sqaruar.

Grupi Parlamentar i PD dënon me forcë sjelljen dezinformuese të Kryetares së Kuvendit që synon të krijojë konfuzion në opinionin publik, vetëm me qëllim që të mbrojë pandëshkueshmërinë e bashkëpunëtores së Edi Ramës, deputetes strategjike Olta Xhaçka, si dhe të fsheh faktin se për herë të parë në 34 vite Kuvendi ka refuzuar të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat