Situata politike po kalon një moment delikat, me zhvillime që mund të ndryshojnë rrënjësisht balancat si në mazhorancën socialiste, por edhe në opozitë. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, vetëm pesë muaj larg, Partia Socialiste duket se po kërkon një ringritje emergjente për të ruajtur pozitat e saj. SPAK ka vijuar të shtrijë hetimet në nivele të larta të ekzekutivit, duke çuar në një tronditje të disa figurave kyçe të qeverisë. Radhën ditën e djeshme e kishte kryebashkiaku Erion Veliaj, i konsideruar ndryshe dhe si pasardhësi i Ramës në PS. Me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular. Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të zotit Veliaj.
Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Ndaj zotit Veliaj ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish drejtorë të Bashkisë. Përveç Veliajt, e rrezikuar nga SPAK është dhe zëvendësja e Edi Ramës, Belinda Balluku. Kjo megjithëse duket se është në zenithin e saj politik duket qartë se shprehja “sa më lart të ngjitesh aq më e fortë është përplasja” do të sjellë një fund të hidhur për të. Por jo vetëm kaq, SPAK mund të fundosë Taulant Ballën, Mirela Kumbaron, Pirro Vengun apo edhe Ogerta Manastirliun, të cilët kanë dosje të hapura në SPAK dhe akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive. Dosjet pafund që kanë mbushur raftet e SPAK për zv/kryeministren po detyrojnë Edi Ramën të rishikojë ekipin e tij, duke analizuar mundësinë e ndryshimeve të mëdha në kabinet. Burime pranë qeverisë raportojnë për emra të njohur socialistë, me eksperiencë të gjatë, që mund të hidhen në fushë-betejë për të dhënë stabilitet dhe për të fituar besimin e qytetarëve.
Veteranët socialistë në “fushë-betejë”
Mes kandidatëve të përfolur janë disa nga figurat historike të Partisë Socialiste, të njohur për aftësitë e tyre në menaxhim krize dhe për mbështetjen e gjerë brenda strukturave të partisë. Synimi është të ndërtohet një “strategji shpëtimi” për të shmangur kolapsin e mundshëm elektoral, i cili mund të përkeqësohet nga akuzat dhe hetimet aktuale. Ministri Blendi Gonxhe, Bledi Çuçi, apo Blendi Klosi janë nga veteranët në listën e Ramës pa probleme në biografi që mund të blindojnë skuadrën e zgjedhjeve të 2025. Ky grup është i vetmi që mund ti shpëtojë skifterët të SPAK për të cilët Edi Rama ju ka lënë në dispozicion laraskat si Balluku, Frida Krifca Manastirliu, Niko Peleshi etj. Kjo ishte dhe një nga lëvizjet e papritura të Edi Ramës së fundmi, i cili kaloi Blendi Goxhen në Tiranë. Rama pritet të caktojë dhe Blendi Klosin drejtues politik në qarkun Dibër.
Kjo situatë e tensionuar, e cila përfshin dilema mes pastrimit moral dhe nevojës për unitet politik, do të përcaktojë fatin e PS-së dhe mazhorancës në muajt e ardhshëm. Ndërkohë, opozita po përgatitet për të shfrytëzuar çdo hap të gabuar nga ana e qeverisë, duke e bërë klimën politike edhe më të ashpër. A do të arrijë Edi Rama të ruajë kontrollin dhe të rindërtojë besimin në radhët e tij? Pyetja mbetet e hapur, ndërsa dinamika e zhvillimeve pritet të intensifikohet në ditët në vijim. Në këtë klimë të tensionuar, ditët dhe javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare. Edi Rama, i njohur për aftësinë e tij për të manovruar në situata të vështira, do të duhet të tregojë edhe një herë nëse mund ta mbajë timonin e qeverisë në një moment kur lëkundjet duket se po bëhen gjithnjë e më të fuqishme. Një vendim i gabuar mund të shënojë fillimin e një krize të thellë brenda PS-së, ndërsa një strategji e menduar mirë mund ta mbajë mazhorancën në lojë.