Në 5 vitet e fundit numri i të diagnostikuarve me Tuberkuloz në Shqipëri ka ardhur në rënie. Edhe pse pa u mbyllur ende viti 2024, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik mësohet se janë diagnostikuar deri më tani 253 pacientë me Tuberkuloz.
“Duke marr 5 vjeçarin e fundit, vit pas viti numri ka ardhur në ulje. Në 2019, para Covid-it, kemi pasur 434 raste me TB, në 2022 ra numri për shkak të pandemisë. Pas pandemisë filloj një rritje e lehtë, dhe 2023-2024 janë prap në ulje. Aktualisht kemi 253 raste për 2024, në vitin 2023 kemi pasur 302 raste, numri vjen në rënie.”, shprehet mjekja epidemiologe Donika Mema.
Raporti i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është rritur numri i personave të diagnostikuar me Tuberkuloz në rang global, ku afërsisht 8.2 milionë njerëz u diagnostikuan rishtazi me TB në vitin 2023, duke e vendosur përsëri si vrasësin kryesor të sëmundjeve infektive në 2023, duke tejkaluar kështu edhe COVID-19.
Por, në Shqipëri nuk është ruajtur ky trend, pasi sipas mjekes Epidemiologe pranë ISHP-së Donika Mema, izolimi në pandemi dhe më pas informatizimi i sëmundjeve infektive, solli dukshëm një rezultat pozitiv në uljen e numrit të të prekurve nga Tuberkulozi në vendin tonë.
“Nga viti në vit, zbulimi i rasteve me Tuberkuloz bëhet shumë herët, e cila ndikon edhe në uljen e rasteve me TB, por zbulimi nga mjekët e familjes, mjekut specialistë më herët kur dyshojn për TB, bazuar edhe në komponentin e strategjisë së përfshirjes së TB në shërbimin parësor vitet e fundit, ka çuar në këto tregues kaq të dobishëm. Unë e kam thënë edhe më herët se pandemia, ndikoi pak pozitivisht për uljen e rasteve, shihet rezultati edhe për shkak të izolimit. Pasi TB, ka izolimin dhe përdorimin e maskave mbrojtëse, ndikoi në uljen e numrit, por, edhe të transmetimit të tij”, ka thënë mjekja epidemiologe ISHP, Donika Mema.
Sipas ekspertëve Tuberkulozi çdo vit prek të gjitha grupmoshat, por % më e lartë është tek grupmoshat më aktive dhe ato mbi 65 vjeç. E megjithatë bluzat e bardha këshillojnë qytetarët që të jenë vigjilentë dhe mos të neglizhojnë simptomat, të cilat janë të ngjashme me gripin, por, të paraqiten pranë mjekut të familjes.