Kushtetuesja, kryetarja Zaçaj, shtyn me disa muaj mandatin e vet dhe i nis me urgjencë kërkesë Venecias

Shqipëria

Kushtetuesja, kryetarja Zaçaj, shtyn me disa muaj mandatin e vet dhe i nis me urgjencë kërkesë Venecias

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 22:50
Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese

Në Shqipëri, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj njoftoi të martën se nuk ka ndërmend të njohë 10 marsin e vitit 2025 si datë të përfundimit të mandatit të saj si anëtare, porse sipas llogaritjeve të vetë asaj “si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”. Ajo bëri të ditur gjithashtu se parashikon t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi rastin. Disa orë më vonë, në mbrëmje, në faqen e Gjykatës Kushtetuese ishte publikuar dhe kërkesa. Në deklarimet e veta publike, Gjykata e Lartë, e cila dhe e ka emëruar zonjën Zaçaj, nuk ka lënë asnjë hije dyshimi për përfundimin e mandatit në 10 mars të vitit të ardhshëm.

Lëvizja e papritur e zonjës Zaçaj, vjen pikërisht në ditën, kur ajo, sipas ligjit, bazuar në parashikimet e Gjykatës së Lartë, do të duhej të kishte mbledhur anëtarët e kushtetueses dhe të njoftonte organin e emërtesës, për krijimin e vendit vakant, (jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit) ndërkohë që një muaj më parë, për këtë duhet të kishte njoftuar edhe vetë Gjykatën Kushtetuese.

Zonja Zaçaj u emërua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në janar të viti 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Por sipas saj “data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues”. Për këtë arsye sipas zonjës Zaçaj, nuk ka arsye pse mandati i pjesshëm që ajo ka marrë, duhet të përfundojë më 10 mars të vitit 2025.

Por në fakt emërimi i saj, përfshihet në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, të reflektuara dhe në Ligjin për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë. Dhe mandati i zonjës Zaçaj, pasoi atë të ish anëtares Tusha, që pikërisht për të garantuar këtë ripërtëritje, me tre anëtarë në vitin 2025, u kufizua nga 9 në 8 vjet. Një formulë e mbështetur më vonë dhe nga Komisioni i Venecias. Eshtë për këtë arsye që dhe Gjykata e Lartë e konsideron, 10 marsin e vitit 2017, jo vetëm si datë të kur përfundoi mandati i zonjës Tusha, por si fillimin e mandatit pasues 8 vjeçar.

Zonja Zaçaj, ka preferuar të anashkalojë këtë procedurë të ndjekur posaçërisht për të siguruar raundin e ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se “duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”, vë në dukje ajo në një reagim publik, ndërsa nuk saktëson se cilave rregulla saktësisht ajo i referohet, për ta shtyrë mandatin e saj deri në fund të vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, mbetet po ashtu e paqartë nëse qëndrimi i saj, është në titull individual si anëtare e gjykatës, apo në cilësinë e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk rezulton që për verifikimn e mandatit të saj të ketë thirrur trupën e gjykatës.

Ajo deklaron se “kam konsideruar t`i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës”. Dhe këtë e bëri fakt, mbrëmjen e së martës, duke iu drejtuar Komisionit si kryetare e Gjykatës.

Një tjetër lëvizje që ngre pikëpyetje, duke qenë se kërkohet opinion kur vetë Gjykata, jo vetëm nuk kapatur një qëndrim për një rast të tillë, po as nuk rezulton që ta ketë shtruar për diskutim. Duke iu drejtuar Venecias, si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ajo përfaqëson dhe pjesën tjetër të anëtarëve dhe detyrimisht çështja duket se duhet të kalojë dhe më parë dhe nga ata, përndryshe ajo kthehet në një kërkesë personale që mund të vendosë në vështirësi Komisionin e Venecias për t’u vënë në në lëvizje. Praktikat e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, dëshmojnë për raste të konsultuara dhe vendmmarrje të përbashkët të të gjithë trupës. Dhe për më tepër, ato kanë patur të bëjnë me çështje parimore, të nivelit kushtetues, dhe jo të shtyrjes apo jo me disa muaj të një mandati.

Edhe Instituti Studimeve Publike dhe Ligjore, IPLS, një organizatë që merret më çështjet e drejtësisë, në një postim në rrjetet sociale kritikoi qëndrimin e zonjës Zaçaj. “Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të vendosë ipso facto për mandatin e saj. Së paku, ajo ka detyrimin ta paraqesë çështjen para Gjykatës Kushtetuese dhe t’i përmbahet mendimit të saj, nëse çështja kërkon një opinion nga Komisioni i Venecias. Si një anëtare e gjykatës, ajo nuk ka kompetenca për të iniciuar veprime ligjore ose kërkesa që nuk kanë mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese”, vlerëson IPLS.

Në deklaratën e saj publike, zonja Zaçaj kërkon që për këtë rast “çdo organ tjetër të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve”. Por fakti është se në të vërtetë Gjykata Kushtetuese nuk po e ushtron këtë kompetencë, të cilën duket se e ka marrë përsipër, vetë ajo, pasi trupës së anëtarëve nuk i është kërkuar të mbajë një qëndrim.

Rasti i zonjës Zaçaj, pason atë që ndodhi me parlamentin pak muaj më parë, kur pas dorëheqjes së anëtarës Elsa Toska, parlamenti shpalli vakancën për një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2028, ndonëse dhe mandati i saj, bënte pjesë në grupin e 3 mandateve që duhet të përfundojnë në vitin 2025. Në këtë rast, kryetarja e parlamentit, ndoqi formalisht një procedurë të nisur nga parlamenti I mëparshëm. Por sipas ekspertëve të kushtetutës, dorëheqja e zonjës Toska, kishte qenë një rast i mirë për të korrigjuar gabimin e mëparshëm, edhe sepse, ripërtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet, me një të tretën e saj, sipas përcaktimit të vetë Kushtetutës, prevalon mbi çdo akt tjetër. Zonja Spiropali ende nuk ka dhënë një shpjegim publik për këtë lëvizje, ndërsa kërkesa për informacion mbi rastin, e paraqitur nga Zëri i Amerikës, ka mbetur prej muajsh pa përgjigje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat