Qeveria ka shtuar fondet në mbështetje të fermerëve, për nxitjen e investimeve në ferma të prodhimit bujqësor. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh në një intervistë televizive se, skemat e subvencioneve janë ato që prekin më shumë përfitues dhe zënë gati 40% të peshës në buxhetin e përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Denaj tha se, financimi i drejtpërdrejtë i fermerëve, përmes subvencioneve në bujqësi edhe për vitin që vjen ka shënuar rritje.
“Me një fond prej 4.4 miliardë lekë, buxheti i vitit 2025 është rreth 1 miliard lekë më shumë krahasuar me vitin 2024, ndërsa buxheti faktik në 2025 parashikon të shkojë në shifrën e 55 milionë eurove”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, skema e subvencioneve do të mbështesë me prioritet sektorë të rëndësishëm të fushës ku përfshihet: prodhimi bujqësor; blegtoria, agroturizmi, mekanizimi, etj.