Regjistrimi i bizneseve në QKB përmes “e-Albania”, hyn në fuqi vendimi

Shqipëria

Regjistrimi i bizneseve në QKB përmes “e-Albania”, hyn në fuqi vendimi

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 09:05
Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet pranë portalit “e-Albania”

Qendra Kombëtare e Biznesit nuk do të ofrojë më shërbime në sportel. Vendimi i qeverisë “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, i cili parashikon regjistrimin e biznesit vetëm përmes portalit “e-Albania” ka hyrë në fuqi. Vendimi ka për qëllim përmirësimin e procesit të ofrimit të shërbimeve publike online, shkurtimin e kohës dhe procedurave si dhe radhët e pritjes për qytetarët, duke shkurtuar kohën e marrjes së shërbimeve.

“Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet pranë portalit “e-Albania””, thuhet në vendim. Sipas vendimit, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së verifikon me hollësi nëse aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë në përputhje me kërkesat e ligjit për regjistrimin e biznesit, si dhe verifikon veprimet e kryera nga personi i autentifikuar elektronikisht. Biznesi tanimë do të marrë elektronikisht edhe vendimet e QKB-së.

“Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 (një) ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.

Çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së. Çdo person ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti. Gjithashtu, çdo person mund të marrë, në format shkresor, kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse. Ndërsa edhe aplikimi për korrigjimin e gabimit mund të bëhet online nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat, nëpërmjet portalit “e-Albania”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat