100 fëmijë në ditë në pediatri, virozat e stinës problem për të vegjlit në Elbasan

Shqipëria

100 fëmijë në ditë në pediatri, virozat e stinës problem për të vegjlit në Elbasan

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 16:57
Foto ilustrim

Rreth 100 fëmijë paraqiten çdo ditë për të marrë ndihmë mjekësore pranë Spitalit Pediatrik të Elbasanit, të prekur nga virozat e stinës. Mjekët thonë se problematike është temperatura e lartë e cila i reziston medikamenteve.

“U bënë më shumë se tre javë që në spitalin e Elbasanit paraqiten deri ne 100 fëmijë ne 24-orë, njëkohësisht është rritur edhe numri i shtrimeve. Me shumë predominojnë femijë me probleme ne traktin respirator. Fëmijët që vijnë në urgjencë paraqiten me temperatura shumë të larta prej dy ose tre ditesh e me pas fillojnë komplikacionet”, thotë Irena Palloshi, shefe e Pediatrisë Elbasan.

Sipas mjekes, nuk kanë munguar të vegjlit që brenda një muaji kanë pasur përsëritje të problemeve të njëjta. Grupmosha parashkollore mbetet më e prekura nga virozat dhe gripi. Por cilat janë komplikacionet e para?

“Fillojnë me kollën, me prekjen e gjendjes së përgjithshme, me temperaturë me anoreksi, shumë shpesh dhe me te vjella për të cilat bëhet shkak kolla. Këta fëmijë shtrojmë. Aktualisht kemi 43 fëmijë të shtruar”, shprehet ajo.

Specialistët rekomandojnë që gjatë festave të evitohen ambientet e mbyllura dhe të mbipopulluara që të shmanget sa më shumë marrja e infeksioneve, sidomos nga fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat