Orikumi është një ndër zonat që pret mijëra turistë gjatë verës, ndërsa në dimër, në rrugët e tij pllakos heshtja. Të rinjtë numërohen me gishtat e duarve, ndërsa në rrugët e qytetit sheh vetëm të moshuar. Shkaqet e largimit në masë të të rinjve janë të shumta, por me kryesoret janë mungesa e vendeve të punës dhe ekonomia e ulët.
“Ja, unë jam vetëm fare, kam 11 vite vetëm. Një e kam në Angli, një në Francë. Njëri iku si i vogël dhe është me forcat e NATO-s, ka 25 vite dhe nuk mund të kthehet më këtu, është mësuar atje dhe nuk e lejojnë, është duke u ngritur atje. Kanë ikur shpejt, u hapën rrugët dhe u duk kush e di çfarë. Unë merrem me bletë, me pensionin nuk ja del dot në asnjë mënyrë, vetëm ilaçe. Kanë mbetur vetëm moshat e treta”,-tha gruaja e moshuar.
“Kam mbetur unë si pensionist, fëmijët kanë ikur për veten e tyre, se edhe ata vuajnë më keq se ne këtu, në emigrim. Unë kam 4 fëmijë të gjithë të larguar. Ata të kthejnë? Jo, bile ata më thonë mua, me gjithë gruan, mbyll dyert e shtëpisë të gjitha, vendosi çelësin dhe…hajde!”-u shpreh një burrë.
“Këtu mungojnë që të gjitha, që nga rruga e çdo gjë. Këtu kanë mbetur vetëm pensionistë, vetëm ne pensionistët. Të larguar janë të gjithë; ja, unë jam vetëm me gruan, kam tre fëmijë, s’kam asnjë këtu, ç’të them unë, do vdes vetëm, kanë ikur jashtë shteti që të ushqehen, që te na mbajnë dhe ne”,-tha qytetari.
“Orikumi, mirë, gjallëri pak ka, kanë ikur njerëzit, ky është Orikumi. Nga varfëria, nga papunësia, nga të gjitha, kanë mbetur vetëm moshat e treta. Kam dy djem, i kam në Itali, nuk mendoj se kthehen kurrë. Këtu mungojnë të gjitha, ja shikoni vetë: hapin kanale si i mbyllin, hapin rrugë, hapin puseta, kjo është”,-u shpreh një qytetar.
10 vite më parë Orikumi numëronte rreth 12 mijë banorë, por 5 vitet e fundit është thuajse I boshatisur, ku mendohet se rreth 30% e këtij numri janë larguar. Bizneset e mbetura në funksion vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.