Analisti Lorenc Vangjeli thotë se kërcënimet ndaj kryetares së Gjykatës Kushtuese Holta Zaçaj janë një kambanë e fortë alarmi.
Ky alarm – u shpreh Vangjeli- duhet të ngrihet mbi shoqërinë shqiptare dhe duhet të na trondisë më shumë sesa një tërmet.
I ftuar në emisionin “Log” në News24, Vangjeli u shpreh se rrezikohet që Gjykata Kushtetuese të futet në një krizë.
“E para, pjesa më e rëndësishme e kësaj historie është që kryetari i Gjykatës Kushtetuese pretendon se mbi të ka pasur presion politik, mediatik, ekonomik. Nëse kjo është e vërtetë është kambana më e frikshme e alarmit që duhet të ngrihet mbi shoqërinë shqiptare dhe duhet të na trondisë më shumë sesa një tërmet. Të jesh nëpunës publik dhe sidomos në një lartësi të epërme të një institucioni kaq të rëndësishëm, por edhe delikat, përveç të tjerave të jep detyrimin, nuk të mund të flitet me fjalë të përgjithshme. Por duhet thënë presioni politik më vjen nga…presioni ekonomik ma bën cili dhe kush…? Dhe presioni mediatik, edhe ky duhet identifikuar. Tjetra kam frikë se këtu nuk përfundon, por këtu fillon. Dhëntë zoti që titullit tuaj të pjesës së parë të emisionit “Kriza Kushtetuese?” mund t’i hiqet pikëpyetja dhe mund të themi që në rrezikojmë të hyjmë në një krizë kushtetuese, pra GJK mund të përfshihet në një krizë të tillë”, tha analisti.
Po ashtu, Lorenc Vangjeli foli edhe për një sekret që po qarkullon në Tiranë, se 2-3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të japin dorëheqjen.
“Është edhe një sekret publik që qarkullon në Tiranë që thotë se 2-3 anëtarë të GJK, që nuk ka lidhje me mandatin, mund të ndërpresin mandatin e tyre me dorëheqje”, tha ai.