Pas arrestimit të Majlind Habibit për vrasjen me dashje të Branko Shkozës në Spitallë të Durrësit, situata e familjarëve të Habibit paraqitet kritike.
Ata kanë mbyllur derën e shtëpisë dhe janë larguar nga frika e hakmarrjes.
I frikësuar, Ilir Habibi, vëllai i të dyshuarit, është larguar nga Durrësi së bashku me familjen e tij. Ai tregon për jetën e vështirë në arrati.
“Na ra si bombë. Unë isha në punë, nuk e kuptova as vetë se si na erdhi kjo gjë. Atë natë që e kam marrë vesh, direkt kam njoftuar xhaxhain tim të më marrë nusen dhe kalamajt se i kisha në gjumë. Kam marrë rrugët, kam fjetur në autostradë se po binte shi. Të nesërmen kam marrë një hotel që të fus fëmijët brenda. Unë jam i pafajshëm dhe fëmijët e mi po ashtu. Nëse Majlindi ka bërë krimin të marrë dënimin”, tha ai.
Sipas tij, vendimi për ta lënë Majlindin pa avokat dhe për të mos e mbështetur në gjykatë ishte i qëllimshëm, pasi vëllai kishte pranuar krimin.
“Ne kemi ecur me mendimin se ai e ka pranuar atje dhe ka mbaruar çdo gjë. Kur ai ka thënë se më kanë rrahur dhe torturuar, atëhere unë jam i detyruar, me aq mundësi sa kam, që të zbardhim çështjen, se edhe unë jam në hall”, u shpreh Ilir Habibi.
Ai e përshkruan vëllain e tij si një njeri impulsiv, por njëkohësisht të ndikuar lehtë nga rrethanat dhe presioni. Deklarata e Majlind Habibit në seancën gjyqësore, ku mohoi të ketë kryer krimin dhe pretendoi se e kishte pranuar atë nën presion, ka tronditur familjen. Iliri pranon se kjo i ka bërë të rivlerësojnë situatën.
“Të zbardhet çështja, a janë një autor apo disa. Flitet që ka pasur bashkëpunëtorë. Nëse Majlindi im është fajtor të marrë dënimin në maksimum”.
I larguar nga Durrësi për të shmangur hakmarrjen e mundshme, Ilir Habibi shpreh shqetësimin për sigurinë e familjes dhe fatin e tre fëmijëve të tij të mitur. Ai bën apel për ndihmë dhe drejtësi në këtë situatë të pazakontë.
“Nuk ka dalë i ati i tij, të thotë nuk kam gjë me ty, hajde në shtëpinë tënde. Unë kam frikë, ishim në punë fëmijët në shkollë, ishim në rregull. U shkatërruam”.
Ngjarja tragjike e 2 dhjetorit, ku 33-vjeçari Branko Shkoza humbi jetën nga mbytja në kanalin e ujërave të ndotura, vazhdon të jetë e mbuluar me pikëpyetje. Ndërkohë, familjarët e Majlind Habibit po përballen me pasojat e një ngjarjeje që ka ndryshuar rrënjësisht jetën e tyre.
“Mua më vjen keq për Brankon, se jemi rritur bashkë. Më vjen keq për Brankon. I shpreh ngushëllimet familjes”.