Edhe pse shiu ka pushuar dhe ka dalë dielli, banorë të disa pallateve në sektorin “Iliria” të Plazhit të Durrësit janë të bllokuar nga ujërat që kanë pushtuar sheshin para objekteve të tyre të banimit dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve vendore.
Një banore është shprehur për gazetaren e Top Channel Vali Qyrfyçi se prej dy ditësh ka mbetur e bllokuar në shtëpi për shkak të ujit dhe ky fenomen sipas saj, përsëritet sa herë bie shi.
“Kemi 2 ditë që nuk dalim dot nga shtëpia. Jemi në plazh, Durrës, te Iliria. Ju lutem na ndihmoni! Ky fenomen përsëritet sa herë bie shi”-shprehet banorja.
Reshjet e dendura të shiut gjatë së shtunës kanë shkaktuar probleme në disa kryqëzime dhe rrugë të qytetit bregdetar të Durrësit dhe zonave përreth, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.