Më 15 dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi vendimi i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, asokohe ministër i Jashtëm, kujtoi 14-vjetorin e liberalizimit të vizave.
“14 vjet më parë, mundi, sakrifica dhe dëshira e shqiptarëve u bë realitet falë një pune me përkushtim dhe dashuri për vendin tonë. Shqiptarët nisën të lëvizin pa viza, të bashkohen me familjarët e tyre dhe të trajtohen si qytetarë me dinjitet në gjithë Europën”, shkruan Basha.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se misioni i radhës është heqja e vizave me aleatin strategjik SHBA-të.
“Sot, një tjetër mision është përpara nesh: liberalizimi i vizave me SHBA-në, aleatin dhe partnerin tonë strategjik. Ashtu siç bëmë realitet lëvizjen e lirë në BE, ne mund t’ia dalim të bëjmë realitet heqjen e vizave me SHBA-në”, shkruan Basha.
Basha shprehet se kjo mund të realizohet duke luftuar korrupsionin dhe krimin dhe me një qeveri që krijon mirëqenie për shqiptarët dhe jo për një grusht politikanësh.
“Ky është angazhimi dhe përkushtimi ynë, që mund ta realizojmë si një vend që lufton korrupsionin dhe nuk bashkëjeton me të, që lufton krimin dhe nuk bashkëqeveris me të, që krijon mirëqenie për shqiptarët dhe jo për një grusht politikanësh, dhe që interesave të qytetarëve nuk u mbivendos interesat personale”, e përmbyll Basha reagimin.