Eksportet bujqësore shënuan rritje me 19,5% gjatë periudhës janar-nëntor 2024 krahasuar me një vit më parë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se performanca pozitive e sektorit bujqësor tregon punën e palodhur të fermerëve tanë për produkte cilësore “Made in Albania”, konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
“Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti u eksportuan 435 372 tonë produkte bujqësore, kur në të njëjtën periudhë të një viti më parë u eksportuan 364 219 tonë”, u shpreh Denaj.
Sipas saj, do vijohet me politikat mbështetëse për të gjithë njerëzit e punës, drejt objektivit të qeverisë 1 miliard dollarë eksporte deri në 2030”, tha ajo.
Qeveria ka rritur buxhetin për bujqësinë dhe zhvillimin rural në vitin 2025. Buxheti prej 14,7 miliardë lekësh adreson prioritetet për mbështetjen e fermerëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit.
Buxheti përfshin gjithashtu financimin e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, ekonomisë blu dhe digjitalizimin.