Shoqata Shqiptare e Bankave po finalizon hartimin e një projektligji për ngritjen dhe funksionimin e Byrosë së Kredisë, që do t’i propozohet qeverisë shqiptare për të marrë rrugën ligjore të miratimit vitin e ardhshëm.
Në koncept, projektligji do të parashikojë që Byroja e Kredisë të ngrihet nga një subjekt privat me eksperiencë në një aktivitet të tillë jashtë vendit.
Byroja e Kredisë do të përmbajë informacion për detyrimet që subjektet kanë ndaj institucioneve financiare, ndaj autoriteteve fiskale dhe atyre shtetërore në përgjithësi, si edhe ndaj operatorëve të shërbimeve utilitare.
Që prej vitit 2008, Shqipëria ka një regjistër kredie që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Por, informacioni që përmban ky regjistër është i kufizuar te kreditë e marra nga individët dhe bizneset prej institucioneve të licencuara financiare.
Byroja e Kredisë do të përmbajë një informacion më të plotë lidhur me detyrimet dhe profilin debitor të individëve dhe bizneseve. Të disponuarit e informacionit mbi detyrimet do të mundësojë edhe një credit scoring ose pikëzim të kreditit të çdo subjekti, duke e thjeshtuar ndjeshëm vlerësimin e aplikimeve për kredi.
Informacioni i Byrosë së Kredive do të jetë i disponueshëm për palët e interesuara kundrejt një tarife të caktuar, me dhënien e një miratimi paraprak nga vetë subjekti.
Projektligji parashikon që Byroja e Kredisë të mbikëqyret nga Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim garantimin e përdorimit të të dhënave personale sipas kërkesave ligjore.
Një çështje ende objekt diskutimi është nëse në procesin e vlerësimit të operatorit që do të administrojë Byronë e Kredisë duhet të ketë një rol nga Banka e Shqipërisë.
Banka Qendrore është shprehur kundër një varianti që ky operator të licencohet dhe mbikëqyret prej saj. Megjithatë, Shoqata e Bankave është në favor të një zgjidhjeje ku Banka e Shqipërisë të jetë pjesë e procesit ligjor, për të rritur besueshmërinë e tij dhe garancitë rreth subjekteve që do të autorizohen për të ngritur Byro të Kredisë.
Ngritja e një Byroje të Kredisë ka qenë një ide e hershme e Shoqatës së Bankave, por për vite me radhë zbatimi i saj nuk pati hapa konkretë. Diskutimet rreth mënyrës dhe formave për të ngritur një Byro të Kredisë nisën qysh me planin e masave për kreditë me probleme, në vitin 2015.
Këtë vit, Shoqata e Bankave mori përsipër hartimin e një projektligji, duke financuar konsulencën e nevojshme për këtë qëllim. Pasi drafti të finalizohet, ai do t’i dërgohet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, që nëpërmjet qeverisë do t’ia propozojë Kuvendit të Shqipërisë për miratim.