Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Agron Gjekmarkaj i është bashkuar valës së reagimeve për gjendjen e këngëtares ikonë shqiptare Parashqevi Simaku, pas pamjeve që qarkulluan në mediat amerikane javën e kaluar dhe zgjuan vëmendjen për fatin saj.
Ai tha se ajo nuk duhet trajtuar “si objekt sevapi por solidariteti, merite e dinjiteti”.
Ai thotë se me emrin e saj këto ditë po prodhohen shumë lajme të trishta, të cilat po marrin përmasa deri të frikshme. Sipas deputetit, të njëjtat përmasa po merr dhe nevoja për sensacion dhe klikime me emrin e saj.
“Ne nuk e dimë çfarë dhe si deshiron ta administrojë jeten e saj. Nuk e dimë në do preferonte kthimin në Shqiperi apo do të mbetet në Neë York, por në të dyja rastet si Shtet dhe shoqeri ja kemi borxh një zgjidhje, te vertete, te prekshme, që e nxjerr atë nga mjerimi e depresioni e mbi të gjitha që nuk e trajton si “gjah” sensacionesh”, shkruan Gjekmarkaj.
Deputeti demokrat vlerëson dëshirën e kryebashkiakut të Kavajës, Fisniq Qosja i cili që në momentet e para kur u konfirmua se personi që shfaqej në mediat amerikane dhe jetonte me ndihma komnunitare ishte Vija, siç e thërrasin kavajësit bijën e tyre, u tregua i gatshëm për ndihmë.
“Duke vepruar kesisoj ai ka demostruar një permasë njerzore e institucionale të cilen duhet ta marrë si shembull qeveria shqiptare”, shkruan Agron Gjekmarkaj, teksa i bën thirrje biznesmenëve të kullave të Tiranës që të tregojnë humanizëm, duke i dhuruar një apartament Parashqevisë.
“Biznesmenet shqiptar akuzohen per mungesë të theksuar humanizmi me kullat e tyre në mes të Tiranes, kanë rastin ti pergenjeshtrojnë këto pandehma duke i ofruar në apartament kengetares së madhe me gjasë e pastrehë”, vijon ai.