Nesër (17 dhjetor) zhvillohet në Bruksel Konferenca e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku do të hapet grup-kapitulli 6 për politikën e jashtme.
Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar në këtë konferencë.
Kreu i qeverisë shqiptare pritet të niset pasditen e sotme dhe të mbërrijë në orën 19:00 në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit. Atje ai do të pritet nga ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Ditën tjetër, më 17 dhjetor, Rama do të kryesojë delegacionin e vendit tonë në konferencën ndërqeveritare ku pritet të hapet grup-kapitulli i gjashtë që përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes.
Më 15 Tetor, Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.
Vizita e Ramës në Belgjikë do të përfundojë më 18 dhjetor, pasi të mërkurën ai do të ulet së bashku me liderët e tjerë të rajonit në tryezën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, së bashku me liderët e BE-së dhe rajonit, eventi i parë i kryesuar nga presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa e po ashtu komisionerja e re për zgjerimin Marta Kos.